Ambasada e SHBA-së vishet me ngjyrat e Kosovës: Luani fort dhe bëjeni Kosovën krenare
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka publikuar disa fotografi që tregojnë atmosferën në hapësirat e misionit të saj diplomatik para ndeshjes më të rëndësishme në historinë e futbollit të Kosovës, që luhet sonte në Prishtinë.
Në njërën prej fotografive shihet e ngarkuara me punë e Ambasadës në Prishtinë, Anu Prattipati, e veshur me fanellën e kombëtares së Kosovës në futboll.
Në prag të ndeshjes finale të play offit ndërmjet Kosovës dhe Turqisë për kualifikim në Kampionatin Botëror 2026, Ambasada Amerikane shpreh mbështetjen për futbollistët kosovarë me një mesazh inkurajues.
“Nga të gjithë ne në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara po ju mbështesim – luani fort dhe bëjeni Kosovën krenare!”.
Ky mesazh reflekton jo vetëm përkrahjen diplomatike që e ka pasur shteti i ri nga SHBA-ja, por edhe një afrim të përfaqësuesve amerikanë me emocionet kolektive të shqiptarëve të Kosovës para ndeshjes, e cila përjetohet si një mundësi historike për vendin.