27-vjetori i masakrës së Pastaselit, Kurti merr pjesë në përkujtimin e të rënëve
Kryeministri Albin Kurti së bashku me ministrin për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, mori pjesë sot në ceremoninë e përkujtimit të 27-vjetorit të masakrës në fshatin Pastasel të komunës së Rahovecit, një nga ngjarjet më tragjike të luftës në Kosovë.
Në këtë ceremoni të organizuar me pjesëmarrjen e përfaqësuesve institucionalë të nivelit qendror dhe lokal, si dhe familjarëve të viktimave, kryeministri Kurti përkujtoi tmerrin e 31 marsit 1999, kur 106 civilë shqiptarë, të paarmatosur, u vranë pa mëshirë nga forcat serbe. Ai theksoi se ndër viktimat kishte edhe fëmijë të moshës 13 deri 17 vjeç, që u rreshtuan përballë vdekjes pas rrahjeve dhe torturave, si dhe pleq dhe burra me plis të bardhë, simbol i urtësisë dhe i traditës kombëtare.
“Në atë ditë bashkë me ta u goditën rrënjët e trashëgimisë sonë, u goditën fëmijë e pleq, fillimi dhe vazhdimësia”, tha Kurti.
Duke iu drejtuar familjarëve dhe të mbijetuarve, Kurti theksoi se kujtimi për më të dashurit e tyre është një obligim moral dhe shoqëror, dhe themel i shtetësisë së Kosovës. Ai u shpreh se Serbia kreu një gjenocid të planifikuar, duke tentuar të zhdukë shqiptarët, por që përkundrazi, Kosova sot qëndron në dritë, e lirë dhe e pavarur, ndërsa Serbia mbetet e vendosur në faqet e errëta të historisë.
“Republika e Kosovës është ndërtuar mbi aspiratën për liri dhe barazi. Ne do të vazhdojmë të dokumentojmë të vërtetën, të kërkojmë drejtësi dhe të ndërtojmë një shoqëri ku krimet nuk harrohen e as nuk relativizohen. Kjo është baza e paqes së qëndrueshme dhe e shtetit tonë”, përfundoi Kurti.
Ceremonia u zhvillua në atmosferë solemne, duke rikujtuar sakrificat e shumta të shqiptarëve dhe rëndësinë e kujtesës historike si mjet për ndërtimin e një shoqërie të drejtë dhe të qëndrueshme. /Zëri