Gjoshi: Presidentja ta emërojë që sot anëtarin e PDK-së në KQZ
Foto: Laura Hasani

Gjoshi: Presidentja ta emërojë që sot anëtarin e PDK-së në KQZ

Aktuale March 31, 2026 - 13:12

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) i ka bërë thirrje presidentes Vjosa Osmani që pa humbur kohë ta emërojë anëtarin e dytë të PDK-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Rashit Qalaj.

Kërkesa e PDK-së vjen pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila shpalli të papranueshme kërkesën e presidentes Osmani për sqarimin lidhur me çështjen e emërimit të anëtarëve të KQZ-së.

Sekretari për Anëtarësi dhe Financa në PDK, Betim Gjoshi, tha se kërkesa e Osmanit në Kushtetuese ka qenë e panevojshme, meqë ndarja e mandateve në KQZ është më se e qartë.

“Kërkesa e presidentes Osmani ka qenë e panevojshme, në vitin 2021 për njëjtën çështje i është drejtuar gjykatës dhe ka pasur përgjigje, si dhe ka qenë e panevojshme edhe për shkak të konfigurimit të Kuvendit, i cili përafërsisht ngjashëm si në vitin 2021 LVV-ja kishte 58 e sot 57, PDK-ja kishte 19 e sot ka 22, edhe Osmani në atë kohë na kishte dhënë dy mandate neve, dy LVV-së, ashtu siç e thotë edhe Kushtetuta. Ne presim qe ajo sa më shpejt ta emërojë anëtarin PDK Qalaj, i cili i plotëson të gjitha kriteret… Nëse shikojmë praktikën deri më tani dhe lexojmë Kushtetutën drejt, mandati i takon PDK-së. Nuk ndahen mandatet në baza të asaj se sa mandate ke në Kuvend, por ndahen duke marrë për bazë Nenin 139 të Kushtetutës dhe Ligjin për zgjedhjet dhe presim që Osmani, i bëjmë thirrje që sot pa humbur kohë ta emërojë anëtarin e PDK-së”, tha Gjoshi për RTV21.