Kërveshi: Përpjekja për drejtësi pas krimeve të luftës vazhdon edhe pas 20 vitesh
Juristi Kujtim Kërveshi ka folur për herë të parë rreth punës së tij në fushën e krimeve të luftës dhe themelimin e Institutit të Krimeve të Luftës në vitin 2007.
Ai ka theksuar se puna e bërë me ekipet për dokumentimin e krimeve nuk ka qenë kurrë një “triumf kombëtar”, por një detyrim ndaj së vërtetës dhe përgjegjësi ndaj dështimeve të shtetit dhe kombit.
Sipas Kërveshit, instituti u themelua me mbështetje financiare prej 60 mijë eurosh nga kabineti i ministrit të atëhershëm të Drejtësisë, Jonuz Salihaj, për përgatitjen e dy monografive mbi krimet e luftës.
Ai shton se institutin e kanë menaxhuar në mënyrë të pavarur nga UNMIK-u, duke respektuar procedurat dhe duke e zhvilluar punën me profesionalizëm, pavarësisht ndërhyrjeve politike që kanë ndodhur në vitet pas themelimit.
“Kurr nuk jam krenuar që e themeluam institutin pa pyetur UNMIK-un. Gjithçka që ka lindur më vonë si reformë e drejtësisë ka nisur në atë kohë”, ka thënë Kërveshi. Ai ka kritikuar gjithashtu mungesën e stabilitetit dhe vazhdimësisë, duke theksuar se përpjekjet për drejtësi dhe dokumentim të krimeve të luftës vazhdojnë edhe pas 20 vitesh.
Kërveshi ka lidhur punën e tij me traditën e përpjekjeve të shqiptarëve për të ruajtur identitetin dhe drejtësinë, duke kujtuar aktivitetin e organizatës studentore “Përpjekja”, ku ka qenë i përfshirë edhe babai i tij, Prof. Dr. Muhamed Kërveshi.
