Cakolli: KQZ-ja nuk është miniaturë e Kuvendit që riprodhon raportin e forcave politike
Eugen Cakolli nga KDI e ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me kërkesën e presidentes Osmani për anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
“Siç ka qenë e pritur dhe e ditur, Gjykata Kushtetuese e ka shpallur të papranueshme kërkesën e Presidentes lidhur me përbërjen e KQZ-së, mbi të njëjtën bazë si në rastet e kaluara. Me këtë, kjo temë bëhet ndër më të trajtuarat nga Gjykata dhe nuk lë hapësirë për dilema të reja artificiale”, tha Cakolli.
Ai shton se kjo e mbyll tentimin për ta kthyer këtë në dilemë kushtetuese dhe se rregullat që janë duhet zbatuar siç edhe është bërë në të kaluarën njëjtë.
Kjo e mbyll edhe një herë tentimin për ta kthyer këtë në dilemë kushtetuese. Rregullat që ekzistojnë dhe janë zbatuar edhe në situata identike në të kaluarën duhet të zbatohen sërish njëjtë. Ideja që KQZ duhet të pasqyrojë raportin e mandateve sikur Kuvendi është e gabuar dhe në shpërputhje me dizajnin kushtetues të vet institucionit. KQZ nuk është miniaturë e Kuvendit që riprodhon raportin e forcave politike. Për këtë arsye, përbërja e saj nuk është ndërtuar për të reflektuar dominimin e një subjekti, por për të ruajtur një ekuilibër që e mban procesin zgjedhor të besueshëm”, shkroi Cakolli.
“Prandaj, Presidentja duhet ta përmbyllë sa më parë kompletimin e përbërjes kushtetuese prej 11 anëtarësh të KQZ-së, duke e emëruar anëtarin e mbetur nga radhët e subjektit tjetër politik me të drejtë nominimi”, tha ai.