Dialogu Kosovë - Serbi, kryeministri: Fillimisht të hiqet letra e Bërnabiqit
Foto: Laura Hasani

Dialogu Kosovë - Serbi, kryeministri: Fillimisht të hiqet letra e Bërnabiqit

Aktuale March 30, 2026 - 11:19

Kryeministri Albin Kurti ka folur rreth dialogut Kosovë - Serbi dhe se çka konkretisht ai diskutoi me presidentin francez Emmanuel Macon për këtë proces.

Në një konferencë për media, Kurti tha se fillimisht duhet të hiqet letra e ish-kryeministres së Serbisë Ana Bërnabiq, të nënshkruhen Marrëveshja bazike e Brukselit dhe ajo e Ohrit.

“Ne nuk jemi kundër serbëve, Serbia është kundër neve dhe serbët në Kosovë ne i trajtojmë si qytetarë të Republikës dhe nuk harrojmë që ka minoritete të tjera”.

“Për dialogun në Bruksel ne kemi diskutuar në veçanti në kuptim të zbatimit të marrëveshjeve të cilat kërkojnë mirëbesim, dhe kërkojnë siguri juridike, e që vjen nga nënshkrimi i marrëveshjes, e që vjen nga tërheqja e letrës së zonjës Bërnabiq kur ajo ishte kryeministër dhe e cila me datën 13 dhjetor 2023 merrni me mend, 27-ësh së Bashkimit Evropian i tha që Serbia nuk e respekton integritetin territorial të Kosovës. Si mund të bëjmë ne dialog, si mund të kemi mirëbesim, kur dikush thotë publikisht me letër të shkruar, që nuk e respekton integritetin territorial? Ajo letër duhet të hiqet, Marrëveshja bazike e Brukselit me Aneksin e zbatimit të Ohrit duhet të nënshkruhet, dhe të mos harrojmë që këtë gjë unë e them në çdo takim me ndërkombëtarët, kryeterroristi Millan Radoiçiq duhet t’u dorëzohet organeve të sigurisë e drejtësisë në Kosovë”, tha Kurti.