Shembja në Prishtinë, Rama pezullon nga puna inspektorët
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas rrëshqitjes së dheut në rrugën “Malush Kosova”, duke njoftuar masa të menjëhershme ndaj zyrtarëve përgjegjës.
Përmes një postimi në facebook, Rama ka bërë të ditur se ka kërkuar pezullimin nga detyra të inspektorëve të përfshirë në këtë rast, deri në përfundim të hetimeve.Rama ka theksuar se ekipet e Kryeqytetit dhe Policia ndodhen në terren dhe po monitorojnë nga afër situatën, ndërsa i ka bërë thirrje Prokurorisë që të nisë menjëherë procedurat hetimore për zbardhjen e plotë të rastit.
Sipas tij, është kërkuar edhe fillimi i një hetimi të brendshëm për të verifikuar raportet e inspektimit, frekuencën e kontrolleve në terren dhe për të identifikuar çdo lëshim apo neglizhencë të mundshme. Ai paralajmëroi se nëse konstatohen shkelje, do të ketë masa të rënda, duke përfshirë largim nga puna dhe ndjekje penale.