27 vjet nga masakra e Belegut, familjarët kërkojnë drejtësi
Pamjet e trishta të 29 marsit 1999 në Beleg të Deçanit, fshatin ku ndodhi njëra ndër masakrat më të mëdha në Kosovë me ç’rast u vranë dhe u masakruan 46 shqiptarë, janë prore të freskëta në mbamëndjen e Endrit Binakajt, i cili asokohe ishte vetëm 9 vjeç.
“Atëbotë sapo i kisha mbushur nëntë pranvera dhe si fëmijë që isha disa pamje mbeten të paharrueshme, mbajë mend shtëpi që po digjeshin, dëbimet dhe kërcënimet e vazhdueshme të forcave serbe, dënesje, kukamë të fëmijëve, pra ishte një katrahurë dhe tmerr i vërtetë jo vetëm për mua por për të gjithë të mbijetuarit atë ditë”, tha Endrit Binakaj, i mbijetuar i Masakrës së Belegut.
Në 27 vjetorin e kësaj masakre familjarët e të rënëve, por edhe përfaqësuesit e institucioneve kërkuan që drejtësia për këta njerëz të pafajshëm të vihet në vend dhe se eshtrat e atyre që mungojnë të prehen në tokën e tyre.
“Kërkojmë prej të gjithëve që sa më shpejt të na kthehen eshtrat, na i ktheni që ta bashkojmë gjakun e familjarëve tanë e që janë të krejt Kosovës, jo vetëm tanët”, Bute Shala – Kilaj, familjare
“Është një prej masakrave më të mëdha në rajonin tonë të Dukagjinit, me Lybeniqin, Mejën po edhe me të gjitha tjerat Çabratin, Gjakovën e që ka shumë. Ajo që po e bën dhimbjen gjithnjë e më të vështirë për familjarët është mosgjetja e trupave, mos kthimi i eshtrave edhe është vërtet një apel për drejtësinë edhe vendore edhe ndërkombëtare që të vendoset drejtësia, të paktën të kthehen eshtrat dhe ta kenë një varr” , tha Ramush Haradinaj.
Më 29 mars 1999 forcat paramiltare serbe poashtu vranë edhe 7 shqiptarë të parmatosur në fshatin Irnziq.
Ndërkaq në Shishman të Bokës, 27 vjet më parë ranë edhe 14 dëshmorë të kombit, luftëtarë të spikatur të UÇK-së.