Organizatat ndërkombëtare i bëjnë thirrje Qeverisë që të përmirësojë lirinë e medias

Organizatat ndërkombëtare i bëjnë thirrje Qeverisë që të përmirësojë lirinë e medias

Aktuale March 25, 2026 - 18:26

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) përmes njoftimit ka bërë të ditur se liria e medias në vend ka pësuar rënie që nga viti 2023, duke kërkuar ndërmarrjen e veprimeve të menjëhershme nga institucionet shtetërore.

Sipas një misioni ndërkombëtar për lirinë e medias, i cili qëndroi për dy ditë në Prishtinë, është konstatuar se standardet e lirisë së medias janë përkeqësuar gjatë tri viteve të fundit, pavarësisht ekzistimit të një peizazhi mediatik pluralist dhe niveleve të ulëta të dhunës fizike ndaj gazetarëve, raporton Zeri.info.

AGK-ja thekson se ndër shqetësimet kryesore mbeten përpjekjet për ndikim politik mbi Komisionin e Pavarur për Media, financimi i pamjaftueshëm dhe presioni ndaj Radio Televizionit të Kosovës (RTK), si dhe rritja e sulmeve verbale dhe denigruese ndaj gazetarëve nga zyrtarë politikë.

Po ashtu, është evidentuar një rritje e ndjeshme e rasteve të ngacmimeve dhe sulmeve online ndaj gazetarëve, të cilat kanë arritur kulmin gjatë vitit 2025. AGK shpreh shqetësim të veçantë për gjuhën përçarëse dhe etiketimet ndaj gazetarëve si “mercenarë” apo “agjentë të huaj”.

Megjithatë, AGK-ja mirëpret përmirësimet në trajtimin e rasteve nga sistemi i drejtësisë, si dhe miratimin e Strategjisë së Këshillit Gjyqësor të Kosovës për periudhën 2026–2028, e cila u jep prioritet rasteve që lidhen me sigurinë e gazetarëve dhe paditë SLAPP.

AGK-ja i bën thirrje Qeverisë së Kosovës, kryeministrit dhe zyrtarëve publikë që të distancohen nga sulmet ndaj mediave, të dënojnë gjuhën nxitëse dhe të kontribuojnë në krijimin e një klime të sigurt dhe të favorshme për gazetari të lirë dhe të pavarur. /Zëri