Kurti e Gërvalla vizitojnë shtëpinë e Latif Berishës që do të shndërrohet në muze

Kurti e Gërvalla vizitojnë shtëpinë e Latif Berishës që do të shndërrohet në muze

Aktuale March 24, 2026 - 18:54

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, së bashku me Kryetarin e Komunës së Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, dhe anëtarë të tjerë të Qeverisë, vizituan sot shtëpinë e djegur të profesorit, poetit dhe veprimtarit të shquar Latif Berisha në veri të Mitrovicës, me rastin e 27-vjetorit të vrasjes së tij.

Kryeministri Kurti theksoi se, në nderim të jetës, veprës dhe qëndresës së profesorit Berisha, si dhe qytetarëve të zonës, të cilët u vranë edhe pas luftës në pronat e tyre, shtëpia do të shndërrohet në muze.

“Profesor Latif Berisha ishte një figurë e rëndësishme e arsimit, kulturës dhe rezistencës kombëtare, i cili me punën dhe veprën e tij la gjurmë të pashlyeshme në jetën intelektuale shqiptare. Për dekada me radhë i shërbeu arsimit dhe letërsisë shqipe si profesor universitar, studiues dhe autor tekstesh shkollore, duke edukuar breza të tërë dhe duke kontribuar në ruajtjen e identitetit kombëtar në kohë të vështira. Edhe pas largimit të dhunshëm nga puna në vitet ’90, ai vazhdoi të mbetet në shërbim të arsimit dhe çështjes kombëtare”, tha kryeministri.

Ministrja Gërvalla njoftoi se shtëpia e profesorit po shndërrohet në shtëpi muze dhe shtoi se vrasja e tij nuk ishte e rastësishme, por pjesë e një strategjie të qartë për të shkatërruar kokat intelektuale të vendit, për të goditur shtyllën e dijes dhe për të penguar rindërtimin e Kosovës së lirë dhe të arsimuar. Ajo kujtoi se më 24 mars 1999, ndërsa bota po kthente sytë nga Kosova dhe avionët e NATO-s nisnin bombardimet kundër regjimit serb, në terren vazhdonte e njëjta fytyrë e errët e krimit, e ftohtë, e organizuar dhe e pa mëshirë.

“Qëllimi ishte të zhdukeshin mendjet më të ndritura, të dobësohej shtresa e mendimit dhe të pengohej e ardhmja e një kombi të emancipuar. Prof. Latif Berisha edhe sot mbetet një personalitet i pakapërcyeshëm, ndër mendjet më të ndritura të Kosovës”, theksoi Gërvalla.

Në emër të familjes, e bija e profesorit, Fatmire Berisha, falënderoi kryeministrin Kurti për angazhimin e tij dhe u shpreh e lumtur që banorët po kthehen në shtëpitë e tyre në veri të lumit Ibër. 

Image

 

Image

Image