Haxhiu: Ndërhyrja e NATO-s, përgjigje ndaj gjenocidit
Foto: Laura Hasani

Haxhiu: Ndërhyrja e NATO-s, përgjigje ndaj gjenocidit

Aktuale March 24, 2026 - 10:10

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka kujtuar 27-vjetorin kur NATO-ja nisi bombardimet mbi objektivat serbe. Haxhiu thotë se intervenimi i NATO-s ndryshoi rrjedhën e historisë së Kosovës.

“Si përgjigje ndaj ciklit të dhunës që kishte marrë trajtë gjenocidi dhe politikave të regjimit të Millosheviqit ndaj shqiptarëve të Kosovës, 19 vende të NATO-s, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nisën fushatën ajrore mbi caqet policore dhe ushtarake serbe për 78 ditë”, ka shkruar kryekuvendarja në përvjetorin e 27-të të sulmeve të NATO-s mbi caqet serbe.

Sipas saj, gjatë kësaj periudhe ndërhyrja e NATO-s nga ajri dhe qëndresa e UÇK-së në terren u ndërthurën në një çast përcaktues për Kosovën.

“Nderojmë, me mirënjohje, rolin vendimtar të NATO-s, sakrificën e UÇK-së dhe të gjithë atyre që kontribuuan për lirinë e Kosovës. Jemi përherë falënderues për mbështetjen e miqve dhe aleatëve tanë ndërkombëtarë që nuk na lanë vetëm në momentet më të vështira”, shkroi kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu.