Presidentja Osmani kujton ish-sekretaren Albright në 4-vjetorin e vdekjes
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, e ka kujtuar ish-sekretaren Madeleine Albright, në katërvjetorin e vdekjes.
Osmani tha se Albright, nuk është vetëm pjesë e historisë sonë, por na ndihmoi ta shkruajmë atë.
“Në kohën vendimtare për fatin e Kosovës, si Sekretare e Shtetit në administratën e Presidentit Bill Clinton, ajo ishte ndër zërat kyç për ndërhyrjen e NATO kundër regjimit gjenocidal të Serbisë, një vendim që i dha fund luftës dhe hapi rrugën për lirinë e Kosovës”, deklaroi Osmani.
Osmani u shpreh se vizita e ish-sekretares amerikane, në Kosovë në vitin 1999 dhe rikthimi në Prishtinë dy dekada më vonë, kur e cilësoi ndërhyrjen si të drejtë, dëshmojnë përkushtimin e saj të palëkundur ndaj kauzës së drejtë të popullit tonë.
“Busti i saj në zemër të kryeqytetit tonë qëndron si një kujtesë e përhershme për rolin historik që pati në rrugëtimin tonë drejt lirisë. Ndërkaq, miqësia me Shtetet e Bashkuara mbetet një testament në nderim të trashëgimisë së saj. Mirënjohje e përjetshme për Sekretaren Madeleine Albright!”, u shpreh Osmani.