Dedaj: Faktori njeri dhe shpejtësia, shkaktarët kryesorë për aksidente me fatalitet
Foto: Laura Hasani

Dedaj: Faktori njeri dhe shpejtësia, shkaktarët kryesorë për aksidente me fatalitet

Aktuale March 20, 2026 - 20:29

Brenda 24 orëve të fundit, dy aksidente me pasoja fatale kanë ndodhur në Kosovë.

Njohësi i komunikacionit, Nol Dedaj, ka thënë se vendi po vazhdon trendin negativ të vitit të kaluar sa i përket numrit të aksidenteve, duke theksuar mungesën e masave parandaluese nga institucionet përgjegjëse.

“Po vazhdon trendi i vitit të kaluar me numrin e aksidenteve, nuk po shohim fare masa preventive ndaj institucioneve përgjegjëse, të cilat duhet të merren me shqyrtimin dhe studimin e këtyre elementeve, të cilat po shkaktojnë aksidente në komunikacion”, deklaroi Dedaj.

Ai shtoi se rritja e fluksit të automjeteve në rrugë ndikon drejtpërdrejt në rritjen e rrezikut për aksidente.

“Në momentin që shtohet fluksi i veturave në rrugët publike, në atë moment rreziku më i madh është që të ketë edhe aksidente, kjo është karakteristikë sa i përket edhe shansit më të madh për të ndodhur një aksident”, u shpreh ai.

Sipas Dedajt, faktori kryesor i aksidenteve mbetet njeriu, ndërsa ndër faktorët tjerë të rëndësishëm përmenden shpejtësia, kushtet e rrugës dhe gjendja e automjeteve.

“Faktori kryesor për ndodhjen e aksidenteve është vetë njeriu. E pamundshme që të mos përmendet është edhe faktori tjetër që është shpejtësia, ndërsa te përqindja e 95 përqindëshit hyn edhe faktori rrugë dhe automjet”, theksoi Dedaj. /teve1