Nagavci thotë se Konjufca ka më shumë vota se Osmani për President
Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, ka folur rreth çështjes së postit të presidentit, duke krahasuar mbështetjen për Glauk Konjufcën dhe presidenten aktuale, Vjosa Osmani.
Nagavci u shpreh se brenda subjektit të tyre besojnë se kandidati i tyre gëzon përkrahje më të madhe sa i përket votave.
“Ne besojmë që z. Konjufca ka më shumë vota se zonja Osmani. Kemi besuar dhe besojmë akoma”, tha ajo në Dukagjini.
Ajo ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit që të reflektojnë dhe të shmangin bllokadat, duke thënë se vendi ka nevojë për institucione stabile dhe se nuk janë pjesë e “pazareve” politike.
“Unë shpresoj që deputetët që kanë marrë besimin e qytetarëve vërtet do të reflektojnë, do të largojnë mendësinë e inatit, ne nuk jemi te mendësia e pazareve. Situata është vërtet serioze, vendi ka nevojë për institucione stabile”, deklaroi Nagavci, duke shtuar se mbajtja e zgjedhjeve të reja nuk do të sillte ndonjë ndryshim të madh.