Ministria e Mbrojtjes mban takim në Prizren për rekrutimin në FSK

Ministria e Mbrojtjes mban takim në Prizren për rekrutimin në FSK

Aktuale March 19, 2026 - 23:28

Ministria e Mbrojtjes ka organizuar në Prizren një takim informues për të rinjtë në kuadër të fushatës për rekrutimin e ushtarëve në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).

Sipas njoftimit, takimi u realizua në bashkëpunim me Komunën e Prizrenit dhe me pjesëmarrjen e të rinjve nga komunitete të ndryshme.

Zëvendësministri Enis Kervan dhe delegacioni i tij u pritën nga kryetari i komunës, Shaqir Totaj, i cili vlerësoi këtë iniciativë dhe shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të mëtejmë.

“Me këtë rast, Zëvendësministri Kervan, në fjalimin e tij, theksoi se Prizreni ka qenë gjithmonë një vend ku të rinjtë kanë treguar përkushtim, guxim dhe vullnet për t’i shërbyer vendit të tyre”, thuhet në njoftim.

 Ai nënvizoi se FSK është një institucion profesional në zhvillim, duke përmendur investimet e bëra ndër vite, dhe i ftoi të rinjtë që t’i bashkohen me disiplinë dhe përkushtim për të kontribuar në sigurinë e vendit.

Ai gjithashtu theksoi se zhvillimi i FSK-së është pjesë e rrugës drejt integrimit euroatlantik dhe synimit për anëtarësim në NATO.

Në takim mori pjesë edhe zëvendësdrejtoresha e Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT), Hannah Grout, e cila nënvizoi rëndësinë e zhvillimit sipas standardeve ndërkombëtare.