Donika Gërvalla-Schwarz falënderon Aivo Orav në përfundim të mandatit
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, ka marrë pjesë në një drekë lamtumirëse të organizuar nga Ambasada Gjermane në Kosovë, me rastin e përfundimit të mandatit të Shefit të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav.
Në një reagim publik, Gërvalla e ka cilësuar ambasadorin Orav si “mik të çmuar të Republikës së Kosovës”, duke vlerësuar lart kontributin e tij në afrimin e Kosovës me Bashkimi Evropian. Sipas saj, gjatë mandatit të tij, ai ka mbështetur reforma të rëndësishme, veçanërisht në forcimin e sundimit të ligjit dhe avancimin e agjendës evropiane të vendit.
Ajo theksoi se Orav ka treguar njohje të thellë të realitetit në Kosovë dhe e ka trajtuar vendin si një partner serioz, të përkushtuar ndaj vlerave evropiane dhe perspektivës për integrim.
Gërvalla gjithashtu vuri në pah bashkëpunimin e ngushtë me ambasadorin gjatë kohës sa ajo ka ushtruar detyrën e ministres, duke e cilësuar atë si të hapur, parimor dhe gjithmonë të gatshëm për të gjetur zgjidhje praktike për sfidat e përbashkëta.
Në fund, ajo i uroi suksese në angazhimet e ardhshme dhe e falënderoi për profesionalizmin, integritetin dhe kontributin e dhënë, duke theksuar se ai do të mbetet gjithmonë një mik i afërt i Kosovës, pavarësisht përfundimit të mandatit të tij diplomatik.