Vjollca Hoti nga Policia e Kosovës diplomon me sukses në Akademinë Kombëtare të FBI-së
Një tjetër arritje për Kosovën është sjellë nga majore Vjollca Hoti, e cila ka përfunduar me sukses trajnimin në Akademinë Kombëtare të FBI-së në SHBA.
Kjo është një arritje e rëndësishme për karrierën e saj, por edhe në avancimin e bashkëpunimit ndërkombëtar policor, raporton Zeri.info.
Në njoftimin e Policisë thuhet se Hoti përfaqëson një vlerë të shtuar për institucionin, duke sjellë përvoja e njohuri të avancuara, që do të ndikojnë në forcimin e lidershipit, rritjen e kapaciteteve operacionale dhe avancimin e praktikave moderne të policimit.
“Majore Hoti ka më shumë se 25 vjet përvojë pune në Policinë e Kosovës, ku gjatë gjithë karrierës së saj ka shërbyer në pozita të rëndësishme në fushën operacionale. Ajo ka udhëhequr njësi dhe struktura policore në mjedise sfiduese, duke kontribuuar drejtpërdrejt në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, si dhe në menaxhimin e situatave komplekse të sigurisë.
Kjo arritje njëkohësisht reflekton përkushtimin e vazhdueshëm të Policisë së Kosovës për zhvillim profesional dhe për fuqizimin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë në funksion të sigurisë publike”, thuhet në njoftim. /Zëri