Kurti u bën thirrje ndërkombëtarëve të ndëshkohet Serbia për provokimet me stërvitjet ushtarake
Foto: Laura Hasani

Kurti u bën thirrje ndërkombëtarëve të ndëshkohet Serbia për provokimet me stërvitjet ushtarake

Aktuale March 19, 2026 - 11:52

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se stërvitjet e ushtrisë serbe me helikopterë dhe parashutistë disa metra larg kufirit me Kosovën, sipas tij, përbëjnë shfaqje të rrezikshme të agresionit.

Në mbledhjen e pestë të Qeverisë, Kurti tha se kjo shfaqje bëhet edhe më e rrezikshme kur kuptohet se njësia që po ushtronte afër Kosovës, siç tha shefi i Qeverisë, është e njëjta që ka trajnuar kryekriminelin Milan Radoiçiq, transmeton Klankosova.tv.

“Jemi thellësisht të shqetësuar me demonstrimin e pajustifikueshëm ushtarak të Serbisë, me helikopterë e parashutistë në zonat e banuara me shqiptarë në komunën e Bujanocit, fare pranë kufirit me Republikën e Kosovës”.

“Një shfaqje e tillë e forcës ushtarake mbi shtëpi, shkolla, qendra të mjekësisë, përbën jo vetëm trysni, nxitje tensioni dhe përpjekje për t’i frikësuar banorët atje, e cila ka vite që po përballet me spastrim etnik administrativ nga regjimi autokrat në Serbi, por tregon edhe një provokim të hapur ndaj shtetit tonë të pavarur”, u shpreh ai.

Kurti shtoi se me këto lëvizje si dhe me blerjen e raketave nga Kina, sipas tij, Serbia përdor ushtrinë si një mjet shantazhi për të mbajtur rajonin e Ballkanit në tension të vazhdueshëm.

Pos të tjerash, shefi i Qeverisë po ashtu tha se këtë Serbia e bën edhe nga dëshpërimi.

Ai u bëri thirrje shqiptarëve të Luginës së Preshevës të mos bien pre e këtyre “provokimeve”.

Po ashtu, Kurti i bëri thirrje botës demokratike të marrë masa dhe ta ndëshkojë Serbinë.