Prokuroria jep detaje për aksionin që po zhvillohet në ARBK

Prokuroria jep detaje për aksionin që po zhvillohet në ARBK

Aktuale March 18, 2026 - 10:23

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dhënë detaje në lidhje me aksionin që po zhvillohet që nga orët e hershme të mëngjesit të së mërkurës, në kuadër të hetimeve për dyshime për “Keqpërdorim të pozitës zyrtare” dhe “Falsifikim dokumentesh”.

Sipas njoftimit, aksioni është realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me Policiën e Kosovës, si dhe njësi të tjera mbështetëse, duke u bazuar në urdhër të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Gjatë këtij operacioni janë kryer bastisje në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), institucion që funksionon në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Hetimet lidhen me dyshimet për kryerjen e veprave penale “Keqpërdorimi i pozitës ose autoritetit zyrtar”, si dhe “Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve”.

Prokuroria bëri të ditur se aksioni është ende në zhvillim dhe se po ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për zbardhjen e plotë të rastit.

Autoritetet kanë paralajmëruar se opinioni publik do të informohet për zhvillimet e mëtejme në vazhdim. /Zëri