Rritja e përdoruesve të kokainës prek edhe moshat më të reja
Rritja e përdoruesve të substancave narkotike vazhdon të mbetet shqetësim. Megjithëkëtë, përtej shqetësimit, përdorimi i kokainës, në vitet e fundit po shndërrohet edhe në problem, me pasoja afatgjate. Rritja e përdoruesve të kokainës tash prek edhe moshat gjithnjë e më të reja.
Të dhënat e Klinikës së Psikiatrisë, vënë në pah se një pjesë e madhe e pacientëve që kërkojnë trajtim për varësi janë përdorues të kokainës. Ndërkohë që mosha mesatare e përdoruesve të sotëm është 16 vjeç. Në disa raste përballë kësaj dukurie janë gjetur edhe më të rinj.
"Kohëve të fundit ka qenë një 16-vjeçare, ka qenë vajzë, mirëpo para pandemisë kemi pas një rast që ka qenë 9-vjeçar, por ai ka qenë në varësi në heroinë, dhe trajtimi i tij ka qenë shumë i vështirë”, tha Samire Gashi Braina, psikiatre dhe shefe e raportit të sëmundjeve të varësisë në Klinikën e Psikiatrisë.
Ajo që ka ndryshuar dhe vë përballë rrezikut rininë e vendit, është përdoruesi fillestar drejtpërsëdrejti me kokainë, duke ndryshuar qasjen e dikurshme kur marihuana e heroina ishin më të përdorshmet.
Kokaina është substancë psikoaktive e grupit të psiko-stimuluesve që krijon varësi shumë shpejt dhe ka pasoja të rënda për shëndetin. Ekspertët e shëndetësisë vënë në pah se kjo ndikon drejtpërdrejt në sistemin nervor qendror, duke shkaktuar edhe çrregullime psiko-tike dhe dëmtime serioze të organeve jetike, duke përfunduar në fatalitet. Dukuria po vë i përballë sfidave të reja edhe institucionet lokale.
"Për fat të keq edhe raportet tregojnë që rritje të përdorimit të narkotikëve në institucionet shkollore në kryeqytet dhe mosha e përdorimit të substancave narkotike në rënie, por kemi nxënës të moshës 12 deri në 14 vjeçar që kanë filluar të eksperimetojnë me substanca narkotike”, tha për RTK-në, Lulzim Fushtica, drejtor për Siguri dhe Emergjenca në Prishtinë.
Statistikat e Policisë për vitin që lamë tregojnë për një numër të konsiderueshëm rastesh që lidhen me narkotikët.
Viti i kaluar u karakterizua edhe me arritjen e konfiskimit të sasive të shumta të substancave narkotike, përfshirë edhe mbi 24 kilogramë kokainë dhe më shumë se një ton marihuanë, si dhe mijëra bimë kanabisi.