Protestojnë punëtorët e “Prishtina Parking”, paralajmërohet grevë

Protestojnë punëtorët e “Prishtina Parking”, paralajmërohet grevë

Aktuale March 16, 2026 - 15:44

Punëtorët e “Prishtina Parking” kanë protestuar për të kërkuar pagën e tyre, shujtën si dhe pjesën e pagës që ende nuk është ekzekutuar.

E në rast se sërish do të hasin në shpërfillje nga menaxhmenti, ata paralajmërojnë se do të hyjnë në grevë, ndërsa theksojnë se pavarësisht protestës së parë, askush nuk është marrë me ta.

Kryetari i Sindikatës, Flamur Hajdari tha se këto kërkesa të tyre po bëhen tash e më shumë se tre vjet.

“Ne jemi mbledhur në protestën e dytë. Kërkesat të cilat i kemi parashtruar te ndërmarrja jonë “Prishtina Parking” ende nuk janë plotësuar. Po presim për plotësimin e kërkesave tona që i kemi paraqitur. Deri më tani nuk kemi pasur asnjë dialog apo ftesë për takim nga menaxhmenti. Kërkesat tona janë ato që i kemi parashtruar më herët: pagesa e shujtës, përmbushja e obligimeve ndaj sindikatës, si dhe pagesa e një gjysmë page që na ka mbetur pa u ekzekutuar. Ne presim që ndërmarrja të ndërmarrë hapa konkretë për zgjidhjen e këtyre çështjeve. Në të kundërtën, do të vazhdojmë me protesta dhe, nëse nuk arrihet ndonjë zgjidhje, do të fillojmë edhe me grevë. Tash e tri vite jemi duke i bërë këto kërkesa, por deri më sot nuk kemi arritur të realizojmë asgjë. Përgjigjja që kemi marrë nga ndërmarrja është se si institucion ndodhet në krizë financiare. Por edhe ne jemi në krizë. Me një pagë prej rreth 500 eurosh, për momentin jemi në gjendje shumë të vështirë ekonomike”, ka thënë ai.

Anëtari i Kryesisë së Sindikatës, Safet Zuka ka treguar se nga ndërmarrja është thënë se po përballen me krizë dhe me borxhet.

“Këtu ka probleme edhe me sigurimin shëndetësor, i cili nuk është paguar për 7–8 muaj. Anëtarëve të sindikatës dhe kolegëve të punës u ndalen mjetet për sigurim shëndetësor, ndërsa familjarët e tyre supozohet të jenë të mbuluar me këtë sigurim. Megjithatë, edhe pse mjetet ndalen nga paga, sigurimi nuk paguhet. E njëjta gjë ka ndodhur për rreth 8–9 muaj edhe me sindikatën tonë. Mjetet janë ndalur nga menaxhmenti, por nuk janë ekzekutuar në llogarinë e sindikatës. Këto janë çështje shumë shqetësuese. Ne kemi kërkuar edhe rritje të pagave, pasi kjo është një nevojë e domosdoshme. Negociatat që kemi pasur me menaxhmentin kanë treguar se ndërmarrja ka borxhe dhe është në krizë financiare. Megjithatë, këto janë pasoja të një keqmenaxhimi që po e pësojmë ne si punëtorë. Menaxhmenti vazhdimisht thekson se ndërmarrja nuk ka të hyra dhe nuk ka mjete as për rritje pagash, as për pagesën e sigurimit shëndetësor dhe as për obligimet ndaj sindikatës. Aq më pak për pagesën e shujtës, të cilën shumica e ndërmarrjeve e kanë të paguar për punëtorët e tyre. Kjo do të thotë se ne aktualisht kemi vetëm një pagë bazë dhe mezi arrijmë të përballojmë jetesën me këtë pagë. Sa i përket protestës së 6 marsit, nuk kemi pasur asnjë kontakt nga menaxhmenti dhe asnjë ftesë për të negociuar apo për të diskutuar rreth kërkesave tona. Në një farë mënyre, duket se nuk duan t’i dëgjojnë kërkesat dhe kushtet tona. Ne do të vazhdojmë me hapa ligjorë dhe gjithashtu do të vazhdojmë me grevë”, tha ai. /EO