Dorëhiqen nga “Guxo” katër zyrtarë të Degës në Pejë, përmendin mungesën e mbështetjes për Osmanin
Katër zyrtarë të Partisë Guxo në Pejë kanë njoftuar dorëheqjen e tyre nga strukturat e kësaj partie, duke përmendur si arsye mungesën e mbështetjes ndaj presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.
Në një njoftim publik, Nezir Jahmurtaj, Ruzhdi Blakaj, Ramiz Cukaj dhe Feriz Gashi kanë bërë të ditur se dorëheqja vjen si shenjë mospajtimi me qëndrimin e partisë në raport me presidenten Osmani, për të cilën thonë se ka përfaqësuar me dinjitet shtetin dhe ka mbrojtur interesat e Kosovë në çdo rrethanë.
Ata kanë shprehur shqetësim edhe për qëndrimin e bashkëkryetares së partisë, Donika Gërvalla, duke pretenduar se ajo ka lobuar kundër rizgjedhjes së presidentes Osmani.
“Në të njëjtin subjekt politik është e papranueshme të mungojë përkrahja për një presidente që ka dëshmuar integritet dhe përkushtim ndaj shtetit, si dhe ka bërë punë të jashtëzakonshme në politikën e jashtme”, thuhet në reagimin e tyre.
Ish-zyrtarët e degës në Pejë theksojnë se, për shkak të kësaj qasjeje dhe në mbrojtje të parimeve të tyre, kanë vendosur të largohen nga partia dhe të vazhdojnë mbështetjen për presidenten Osmani në vendimet e saj të mëtejme.
Në deklaratë përmendet gjithashtu edhe pakënaqësia me mosdorëheqjen e dy bashkëkryetarëve të partisë, Faton Peci dhe Donika Gërvalla. /Zëri