Gashi pasi u zgjodh kryesues i KPK-së: Do ta ushtroj detyrën me paanshmëri e profesionalizëm
Me katër vota për, Arian Gashi është zgjedhur kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës, i cili u zotua se këtë detyrë do ta ushtrojë me paanshmëri, transparencë e profesionalizëm.
Kundërkandidati i Gashit për kryesues të KPK-së, Milot Krasniqi, mori vetëm dy vota.
Pas procesit të fshehtë të votimit për këtë proces, ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit, Agron Qalaj, tha se mandati i Arianit Gashit si kryesues i KPK-së nis nga data 13 mars 2026.
“Konstatojmë se me katër vota për Arian Gashi zgjidhet e kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës. Dy vota për Milot Krasniqin të gjitha fletëvotimet janë të rregullta. Nuk ka ndonjë parregullsi në fletëvotimet… Mandati i Arian Gashit fillon nga data 13 mars 2026 dhe zgjat deri në përfundim të mandatit si anëtar i Këshillit”, deklaroi ai.
E pasi mori pozitën e kryesuesit të KPK-së ,Arian Gashi u zotua se këtë detyrë do ta ushtrojë me paanshmëri, transparencë dhe profesionalizëm duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.
“Ky besim për mua përfaqëson një përgjegjësi të madhe dhe një angazhim të veçantë për të ushtruar këtë detyrim me përkushtim zotohem se detyrën që ma keni besuar do ta ushtroj me paanshmëri transparencës dhe profesionalizëm duke respektuar çdo herë Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Angazhimi im do të jetë i vazhdueshëm për forcimin e integritetit llogaridhënies edhe efikasitetit të sistemit prokurorial”, tha ai.