Vuçiq: Do të shkoj në vendkalimin kufitar me Kosovën për t’i takuar serbët

Vuçiq: Do të shkoj në vendkalimin kufitar me Kosovën për t’i takuar serbët

Aktuale March 13, 2026 - 10:44

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se javën e ardhshme do të vizitojë një pikëkalim kufitar për të takuar serbët që hyjnë dhe dalin nga Kosova dhe për të diskutuar me ta rreth problemeve që lidhen me zbatimin e Ligjit për të Huajt dhe Automjetet.

Sipas tij, “rreth 10 mijë serbë, si dhe qindra profesorë, mjekë dhe mësues në veri të Kosovës mund të preken nga ky ligj”.

Vuçiqi ka thënë se po kërkohen zgjidhje për të shmangur pasoja të rënda për komunitetin serb dhe paralajmëroi masa mbështetëse, përfshirë ndihmë financiare për serbët më të varfër. Ai shtoi se pret mirëkuptim edhe nga partnerët ndërkombëtarë, duke përfshirë SHBA-në, megjithëse sipas tij politika amerikane ndaj Kosovës nuk do të ndryshojë thelbësisht.

Duke komentuar situatën politike, Vuçiqi kritikoi qeverinë e Albin Kurtit dhe tha se çështja e Kosovës mbetet një nga sfidat më të mëdha për Serbinë. Ai përmendi edhe deklaratat e kryeministrit shqiptar Edi Rama lidhur me këtë çështje.

Në planin rajonal, presidenti serb akuzoi Kroacinë se po mbështet aktivitete kundër Serbisë dhe shprehu shqetësim për një bashkëpunim të mundshëm ushtarak mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës. Megjithatë, ai theksoi se Serbia synon të ruajë stabilitetin dhe të mbajë marrëdhënie të mira me NATO-n, me të cilën pritet të zhvillojë edhe stërvitje të përbashkëta.