Për herë të parë në QKUK konfirmohet shtatzëni pas procedurës IVF
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka bërë të ditur se për herë të parë në sistemin publik shëndetësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) është konfirmuar një shtatzëni pas procedurave të Fertilizimit të Asistuar Mjekësor (IVF).
Përmes një postimi në rrjetin socialFacebook, Vitia e ka cilësuar këtë si një lajm shprese për shumë gra që presin të bëhen nëna.
“Për herë të parë në sistemin publik shëndetësor në QKUK është konfirmuar një shtatzëni pas procedurave të Fertilizimit të Asistuar Mjekësor (IVF). Një lajm që jep shpresë për shumë gra që presin të bëhen nëna, e që tashmë këtë procedurë mund ta realizojnë në QKUK, ku dy procedurat e para ofrohen pa pagesë”, ka shkruar Vitia.
Ai po ashtu ka falënderuar ekipin profesional të Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK për punën dhe përkushtimin në realizimin e këtij procesi.
“Falënderojmë ekipin profesional të Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK për punën dhe përkushtimin e vazhdueshëm”, ka shtuar ministri Vitia.