KQZ-ja e pezulloi si parti, reagojnë nga AKR-ja
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka vendosur sot pezullimin e partisë politike Aleanca Kosova e Re (AKR) për shkak të mosmbajtjes së kuvendit zgjedhor brenda afateve ligjore.
U.d. i kryetarit të AKR-së, Vesel Makolli, tha se arsyeja e mosmbajtjes së zgjedhjeve të brendshme ka qenë rastisja me dy cikle zgjedhjesh në vitin e kaluar, ato lokale dhe ato qendrore.
“Rastisen dy palë zgjedhje, ato lokale dhe qendrore, prandaj nuk mundëm me e mbajt kuvendin zgjedhor brenda afatit katërvjeçar deri më 24 shkurt. Sipas ligjit për partitë politike, AKR-ja pezullohet dhe brenda 45 ditëve duhet të mbajë kuvendin. Pezullimi do të thotë që, nëse zgjedhjet do të mbaheshin ndërkohë, ne nuk mund të konkurrojmë si parti e vetme me listën tonë, ndërsa në listë me ndonjë parti tjetër mund të garojmë, siç kemi bërë në zgjedhjet e fundit”, tha ai në një përgjigje për Klankosova.tv
I njëjti bëri të ditur se AKR-ja planifikon që ka mesi i muajit prill të mbajë Kuvendin Zgjedhor.
“Përndryshe, partia funksionon dhe planifikojmë që deri në mes të prillit të mbahet kuvendi zgjedhor”, tha Makolli.