PE-ja miraton raportin për zgjerimin: Dialogu Kosovë-Serbi kyç për rrugën drejt BE-së
Deputetët e Parlamentit Evropian e kanë miratuar një strategji për zgjerim të Bashkimit Evropian, në të cilën thuhet se zgjerimi është përgjigje strategjike ndaj realiteteve gjeopolitike që po ndryshojnë dhe investim në sigurinë dhe stabilitetin e bllokut evropian.
Sipas dokumentit të miratuar më 11 mars, kostoja e moszgjerimit do ta tejkalonte koston e anëtarësimit të vendeve të reja në BE, dhe do të rrezikonte krijimin e zonave gri gjeopolitike të ndjeshme ndaj ndikimit të huaj antagonist.
Për strategjinë votuan 385 deputetë, 147 ishin kundër dhe 98 abstenuan.
Autori i dokumentit, eurodeputeti Petras Austrevicius, tha se marrë parasysh sfidat e sotme, modeli i integrimit të BE-së duhet të përmirësohet në mënyrë që të pasqyrojë më mirë interesat e BE-së dhe pritjet nga vendet kandidate.
“Zgjerimi i BE-së duhet të shkojë krah për krah me reformat e brendshme për të mbrojtur funksionimin e BE-së dhe për t’i përmirësuar proceset e vendimmarrjes, duke përfshirë shfrytëzimin më të madh të votimit me shumicë të kualifikuar. BE-ja duhet t'i përfundojë këto reforma deri në kohën kur vendet kandidate t’i plotësojnë kriteret e anëtarësimit dhe janë gati të bashkohen me BE-në”, tha eurodeputeti Austrevicius.
Sipas dokumentit të miratuar, Shqipëria dhe Mali i Zi kanë vendosur tashmë objektiva ambicioze për përfundimin e negociatave të anëtarësimit deri më 2026-2027.
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian në vitin 2022, mirëpo aplikimi i saj nuk është shqyrtuar ende.
Kështu, ajo është e vetmja në Ballkanin Perëndimor që nuk e gëzon statusin e vendit kandidat.
Një draft-raport vjetor i Parlamentit Evropian (PE) për Kosovën vlerëson se viti 2025 ishte një “vit i humbur” për vendin, për shkak të krizës së vazhdueshme politike gjatë gjithë 12 muajve.
Draft-raporti, autor i të cilit është raportuesi për Kosovën në PE, Riho Terras, përshëndet formimin e Kuvendit dhe Qeverisë së re të Kosovës pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, por shpreh keqardhje për dështimin e Kuvendit për ta zgjedhur një president të ri brenda afatit kushtetues, duke e shtyrë vendin drejt zgjedhjeve të reja.
Kosova kishte Kuvend jofunksional dhe Qeveri në detyrë gjatë vitit të kaluar, pasi zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit nuk dhanë fitues të qartë dhe partitë politike dështuan të gjejnë pajtueshmëri për një qeveri të shumicës.
Kjo bëri që vendi të mbante sërish zgjedhje më 28 dhjetor, por mungesa e një ujdie për zgjedhjen e presidentit, pasi presidentes së tanishme Vjosa Omani i mbaron mandati më 4 prill, rrezikon ta çojë vendin në zgjedhje për herë të tretë brenda një periudhe rreth njëvjeçare.
Draft-raporti, të cilin e ka parë Radio Evropa e Lirë, duhet t’i nënshtrohet diskutimit dhe më pas votimit në Parlament Evropian.
Terras, në arsyetimin e tij shoqërues, vlerëson se disa nga sfidat për Kosovën janë probleme të trashëguara, zgjidhja e të cilave kërkon përfshirjen e gjithë rajonit në një proces më të gjerë integrimi në Bashkimin Evropian.
Dialogu
Ai shkroi në raport se dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian mes Kosovës dhe Serbisë ka dështuar të jetë frytdhënës.
“Dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit, i cili u nis për të gjetur një kompromis të pranueshëm për palët, për fat të keq nuk ka dhënë rezultatet e pritura. Dialogu në thelb ishte joaktiv gjatë vitit 2025. Kjo ndodhi edhe sepse Kosova nuk kishte një qeveri me mandat dhe kompetenca të plota, ndërsa negociatat në këtë formë nuk kanë perspektivë”, theksoi Terras në arsyetim.
Viteve të fundit, Kosova dhe Serbia kanë zhvilluar një sërë rundesh të dialogut në nivel kryenegociatorësh, por takime të nivelit të lartë politik nuk ka pasur që nga shtatori i vitit 2023.
Terras theksoi se Komisioni Evropian, Parlamenti Evropian dhe shtetet anëtare të BE-së duhet patjetër të bëjnë gjithçka për të siguruar që dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit të vazhdojë me energji të re.
Në draft-dokument rikujtohet se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë dhe zbatimi i detyrimeve nga dialogu për normalizim mbeten pjesë përbërëse e të ardhmes së Kosovës në BE.
Ai ritheksoi rëndësinë e angazhimit konstruktiv të autoriteteve të Kosovës dhe Serbisë për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe juridikisht detyruese për normalizimin, e cila, sipas tij, duhet të bazohet në njohjen e ndërsjellë dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
Kosovës dhe Serbisë u bëhet thirrje të zbatojnë Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit, e arritur në Bruksel në shkurt 2023, si dhe aneksin e saj, për të cilin palët u pajtuan në mars të atij viti në Ohër.
Ndër detyrimet për zbatim që kërkon Parlamenti Evropian përfshihen krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe që Serbia të heqë dorë nga kundërshtimi i anëtarësimit të Kosovës në organizata rajonale dhe ndërkombëtare.
Nga të dyja palët kërkohet gjithashtu të shmangin veprime të njëanshme që mund të minojnë procesin e dialogut.
Me këtë dokument u bëhet thirrje edhe pesë shteteve anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës “të lëvizin drejt njohjes, duke i mundësuar Kosovës të përparojë në mënyrë të barabartë me kandidatët e tjerë”.
Në raport përshëndetet heqja graduale e masave të BE-së ndaj Kosovës që nga maji 2025 dhe kërkohet heqja urgjente e masave të mbetura, të cilat nuk janë më të justifikuara dhe vazhdojnë të kenë ndikim negativ në shoqërinë kosovare; theksohet se ky ndikim është i dukshëm në të gjithë shoqërinë dhe ka goditur veçanërisht komunitetet lokale, organizatat e shoqërisë civile dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.
Draft-dokumenti do të diskutohet në Komitetin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET) më 17 mars.
Në të njëjtën ditë do të diskutohet edhe draft-raporti për Serbinë, si dhe raporti i delegacionit të Parlamentit Evropian që vizitoi vendin në janar.
Më vonë gjatë vitit, të dy dokumentet do të kalojnë në votim në seancë plenare dhe do të marrin formën e një rezolute të Parlamentit Evropian.