Ky është 90-vjeçari nga Shqipëria që ka agjëruar 76 Ramazane
Ali Toça është një 90-vjeçar nga Labionti i Shqipërisë, jeta e të cilit është lidhur ngushtë me agjërimin gjatë muajit të Ramazanit.
Ai ka agjëruar plot 76 Ramazane gjatë jetës së tij. Pavarësisht moshës, edhe këtë vit Ali Toça vazhdon të mbajë agjërimin, duke e konsideruar atë si një nga gjërat më me vlerë që mund të bëjë.
Për 90-vjeçarin, agjërimi nuk është vetëm një detyrim fetar, por një përkushtim që e shoqëron gjatë gjithë jetës.
“Agjërimin ne e filluam që të stërviteshim që të vegjël dhe prej asaj kohe e deri sot unë s’e kam lënë Ramazanin pa bërë, vetëm 3 vjet kur kam qenë ushtar. Që 12 vjeç, tani jam 90 vjeç. Tani po bëj 90, duhet edhe pak t’i bëj dhe e kemi agjëruar krejtësisht. Si fshat kemi qenë shumë të rregullt, kemi falur xhuma, kemi falur taravitë, kemi bërë Ramazan dhe edhe fëmijët e vegjël kanë bërë Ramazan këtu te ne”.
“Kur u ndalua, ka qenë në vitin 1967, e ndaloi Enver Hoxha. Si faleshit ju në atë kohë? Ne faleshim secili në shtëpitë tona. Edhe meqë u mbyll xhamia, vendosëm një pjesë burrash, 50–60 veta: ‘Po ku do vemi sot? Te Ali Toça të falim xhuma.’ Javën tjetër, kur ndaheshim, do vinim te filani, te tjetri, që të mos kapeshim sepse na hetonin. Na kapën pasi patëm falur nja 6–7 xhuma. Çfarë simbolizon për ty Ramazani? Vetvetiu njeriu duhet ta çmojë, jo se i ka thënë hoxha, por të kontrollojë veten e vet”, është shprehur Ali Toça.
Për Toçën, agjërimi në këtë moshë është mbi të gjitha gjitha një ndjesi e thellë shpirtërore.
Ai vjen nga një familje besimtarësh myslimanë, ku tradita e agjërimit është trashëguar brez pas brezi, nga stërgjyshërit te gjyshërit dhe prindërit e tij./Euronews.al