Hoxha falenderon homologun e Katarit për kujdesin ndaj shqiptarëve
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me ministrin e Shtetit për Punët e Jashtme të Katarit, Soltan bin Saad Al-Muraikhi.
Hoxha ka dënuar sulmet e Iranit ndaj Katarit, duke i cilësuar ato si një shkelje të qartë të së drejtës ndërkombëtare dhe të sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit.
Hoxha ka riafirmuar solidaritetin e Shqipërisë dhe ka vlerësuar udhëheqjen e Katarit dhe angazhimin e tij për dialog, ndërmjetësim dhe stabilitet rajonal. Ai gjithashtu ka falenderuar autoritetet e Katarit për kujdesin dhe mbështetjen e ofruar ndaj qytetarëve shqiptarë në Katar gjatë këtyre kohëve të vështira.

“Ne e vlerësojmë miqësinë e ngushtë me Katarin dhe qëndrojmë të gatshëm të mbështesim iniciativa që synojnë ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë,” ka shkruar Hoxha në postimin e tij në X.
"Jemi gjithashtu mirënjohës ndaj autoriteteve të Katarit për kujdesin dhe mbështetjen e dhënë qytetarëve shqiptarë në Katar gjatë këtyre kohëve të vështira”, ka theksuar ai.