Prokuroria heton transaksionin 140 mijë eurosh mes Mërgim Lushtakut dhe biznesmenit të lidhur me tenderët e Skenderajt
Një transaksion prej qindra mijëra eurosh mes Mërgim Lushtakut dhe kompanisë “Isa” SHPK të biznesmenit Rrustem Dobra është bërë subjekt i hetimeve nga Prokuroria në Prishtinë.
Transaksioni i dyshimtë i Mërgim Lushtakut, djalit të kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku, është bërë me një biznesmen që fiton tenderë në këtë komunë.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar për gazetën Insajderi se janë në fazën e hetimeve.
Në përgjigjen e Prokurorisë thuhet se do të angazhojnë edhe një ekspert për të kryer ekspertizë financiare.
“Lidhur me pyetjen tuaj, ju njoftojmë se prokurori i Shtetit është duke e trajtuar ketë çështje. Gjithashtu ai ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e veprimeve shtesë hetimore. Në vijim, pritet të angazhohet edhe një ekspert për kryerjen e ekspertizës financiare lidhur me rastin në fjalë”, tha Prokuroria.
Insajderi merr vesh se fillimisht denoncimi ishte bërë nga një hetues në Administratën Tatimore të Kosovës.
Biznesmeni Rrustem Dobra thotë se Mërgim Lushtaku bleu tokë nga ai
Pronari i kompanisë “Isa” SHPK, Rrustem Dobra, në një përgjigje për Insajderin tha se nuk ka pranuar asnjë njoftim zyrtar se është duke u hetuar nga Prokuroria.
Megjithatë, ai konfirmoi se ka pasur një transaksion me deputetin Mërgim Lushtaku, duke theksuar se bëhet fjalë për një shitblerje të rregullt të një prone.
Sipas Dobres, në vitin 2022 ai i ka shitur Lushtakut një tokë me një shtëpi të papërfunduar plotësisht, në vlerë prej 140 mijë eurosh, ndërsa pagesa është kryer përmes bankës.
“Ju njoftoj se deri më sot nuk kam pranuar asnjë njoftim zyrtar nga organet kompetente lidhur me ndonjë hetim ndaj meje. Në vitin 2022 kam realizuar një shitblerje të rregullt të një prone (tokë me shtëpi të papërfunduar plotësisht), në vlerë prej 140,000 euro. Marrëveshja është formalizuar me kontratë dhe pagesa është kryer përmes bankës, në përputhje me procedurat ligjore në fuqi. Për mua ka qenë një marrëdhënie e zakonshme civile dhe plotësisht e ligjshme. Nëse institucionet kompetente kërkojnë ndonjë sqarim, jam i gatshëm të bashkëpunoj”, tha ai.
Edhe vetë deputeti Mërgim Lushtaku e ka pohuar se ka blerë tokë nga Dobra.
Sipas deklarimit të pasurisë të publikuar në vitin 2025, ai vazhdon të ketë borxh për këtë pronë që nga viti 2022, ndërsa ka deklaruar se i kanë mbetur edhe 15 mijë euro për t’i paguar.
Pavarësisht kësaj, në deklarim figuron se ai ka mbi 20 mijë euro kursime në bankë.
Rrustem Dobra, kontraktor i Komunës
Në vitin 2024, kur Sami Lushtaku ishte nënkryetar dhe Fadil Nura kryetar i Komunës, u dha një tender mbi 1 milion euro për asfaltimin e rrugëve në fshatrat Klinë, Polac, Makerrmal, Ticë, Kopiliq i Epërm dhe Rakinicë.
Kontratën e kishte fituar kompania “Isa” SHPK në konsorcium me disa kompani të tjera, ndërsa dokumenti ishte nënshkruar nga vetë Rrustem Dobra.

Një vit më herët, në vitin 2023, Komuna i kishte bërë edhe një “favor”.
Kompania “OMER & NILI INVEST”, e cila ka për pronar "Isa" SHPK, kishte marrë nga komuna pronë për ndërtimin e stacionit të autobusëve.

Prona komunale e dhënë për këtë projekt ka një sipërfaqe prej 10,810 m².

Sipas kontratës që ka siguruar Insajderi, kjo pronë është dhënë për shfrytëzim për 35 vjet, përmes procedurës së negocimit të ofertës nga kryetari i Komunës.