Rama: Kamerat e instaluara në kryeqytet kanë ndikuar në rënien e rasteve kriminale
Kryetari i Prishtinës, Perparim Rama, ka bërë të ditur se vendosja e kamerave të sigurisë në kryeqytet ka ndikuar në rënien e rasteve kriminale gjatë dy muajve të parë të këtij viti.
Në një postim në Facebook, kryetari Rama ka shkruar: “Sot në takimin e rregullt me drejtuesit e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, u informuam për rënie të veprave kriminale gjatë dy muajve të parë të këtij viti, duke theksuar se një rol të rëndësishëm në këtë trend pozitiv ka pasur edhe projekti i vendosjes së kamerave të sigurisë, bashkëpunim mes kryeqytetit Prishtina dhe Policisë së Kosovës, i cili ka nisur të implementohet nga nëntori i vitit 2025”.
Kryetari Rama ka bërë të ditur gjithashtu se projekti i kamerave të sigurisë do të zgjerohet edhe gjatë këtij viti, me qëllim që të rritet siguria në të gjithë kryeqytetin.
Ky projekt synon të monitorojë dhe parandalojë veprimet kriminale, duke kontribuuar në një ambient më të sigurt për qytetarët dhe për trafikun urban në Prishtinë.