Shoqëria civile: Bllokada institucionale po dëmton interesin e vendit
Foto: Laura Hasani

Shoqëria civile: Bllokada institucionale po dëmton interesin e vendit

Aktuale March 11, 2026 - 08:11

Vendimi për t’ia ndaluar Kuvendit të Kosovës të veprojë gjatë masës së përkohshme, të cilin Gjykata Kushtetuese tha se e mori ex-officio, sipas detyrës së saj zyrtare me vetiniciativë, ka paralizuar punën e deputetëve dhe komisioneve parlamentare, përfshirë edhe marrjen e vendimeve për një sërë marrëveshjesh dhe vendimesh me rëndësi për qytetarët.

Rrjedhimisht, deri më 31 mars, nuk do të miratohen ligje e as komisionet parlamentare nuk do të mund të mblidhen për të çuar përpara planet e tyre legjislative.

Ndër to, as ligjet që lidhen me Planin e Rritjes së Bashkimit Evropian për vendin.

Krizat e njëpasnjëshme politike që po çojnë në pezullim të punës së Kuvendit, po ia humbin Kosovës rastin për të përparuar në agjendat e brendshme dhe ndërkombëtare, thonë në Institutin e Kosovës për Drejtësi.

Mbrëmë Gjykata Kushtetuese vendosi masë të përkohshme deri më 31 mars ndaj dekretit të presidentes Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.

Në vendimin e saj, Kushtetuesja ka thënë se i ndalon çdo veprim presidentes në lidhje me dekretin e 6 marsit, njëkohësisht ndalon çdo veprim të Kuvendit të Kosovës derisa masa e përkohshme është në fuqi.

Praktikisht, presidentja Osmani nuk mund të shpallë një datë për zgjedhje të reja, ndërsa Kuvendi nuk mund të mblidhet për të vazhduar seancën për zgjedhjen e presidentit, e nisur më 5 mars. /rtk