Çka u tha pas pezullimit të dekretit për zgjedhje?
Deri më 31 mars është ndaluar çdo veprim i presidentes Vjosa Osmani në drejtim të shpalljes së zgjedhjeve, ndërsa është pezulluar edhe puna e Kuvendit.
Kjo si masë e përkohshme e Gjykatës Kushtetuese pasi Vetëvendosja e çoi dekretin për shpërndarjen e Kuvendit.
Masa e përkohshme u përcoll me shumë reagime. Qeveria, e cila e kishte dërguar në Kushtetuese dekretin, ka thënë se vendimi krijon hapësirë që çështja të trajtohet në mënyrë të plotë, në përputhje me rendin kushtetues.
“Për tri javë jemi në gjendje pritjeje ndërkohë që një sërë marrëveshjesh dhe vendimesh me rëndësi për qytetarët vazhdojnë të mbeten pa miratimin e Kuvendit. Qeveria pret që vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese të japë qartësi të plotë mbi këtë çështje dhe të përcaktojë standardin kushtetues që në të ardhmen institucionet dhe qytetarët mos të përballen me këto pengesa serioze”, thuhet në reagimin e Qeverisë.
Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se pezullimi ndalon veprimin “që cenoi rendin kushtetues”.
“Vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese ndalon një veprim të nxituar dhe të pajustifikuar që cenoi rendin kushtetues dhe demokracinë parlamentare në vend. Vendosja e kësaj mase të përkohshme ndaj Dekretit që shpërndau Kuvendin siguron që të mos krijohen pasoja të pariparueshme derisa Gjykata Kushtetuese ta shqyrtojë në themel çështjen e kushtetutshmërisë së këtij dekreti. I cili për bindjen tonë të thellë është antikushtetues. Lëvizja Vetëvendosje rithekson se vullneti i qytetarëve nuk mund të anashkalohet apo të zëvendësohet me vendime të njëanshme. Ai shprehet në përfaqësimin demokratik parlamentar”, është thënë nga Lëvizja Vetëvendosje. “Aktualisht sipas masës së Gjykatës Kuvendi mbetet pa aktivitet dhe pa i shërbyer të mirës publike me vendimet e tij. Edhe pse për të dalë me vendim Gjykata po i kërkon tri javë kohë, presim që vendimi përfundimtar të mbrojë Kushtetutën, rendin demokratik dhe legjitimitetin e institucioneve të Republikës”.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, e ka vlerësuar si hap shumë të rëndësishëm vendimin e Gjykatës Kushtetuese për vendosje të masës së përkohshme ndaj dekretit të presidentes për të shpërndarë Kuvendin.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për vendosjen e masës së përkohshme ndaj Dekretit për shpërndarjen e Kuvendit është një hap i rëndësishëm për të parandaluar pasoja që mund të dëmtonin funksionimin kushtetues të institucioneve të vendit. Kuvendi i Republikës përfaqëson drejtpërdrejt vullnetin e qytetarëve dhe roli i tij në jetën demokratike të vendit është i pazëvendësueshëm. Vendimmarrja për institucionet nuk mund të jetë rezultat i veprimeve të njëanshme, por duhet të respektojë parimet e përfaqësimit demokratik. Në këtë periudhë, për shkak të masës së vendosur nga Gjykata, aktiviteti i Kuvendit mbetet i kufizuar, gjë që ndikon drejtpërdrejt në mundësinë e institucionit për të ushtruar funksionin e tij në shërbim të qytetarëve”, shkroi Haxhiu në Facebook.
Ndërkaq presidentja Vjosa Osmani ka përsëritur bindjen se Gjykata do të vendosë në përputhje me dekretin e saj. Megjithatë, ajo shtoi se “nuk është pejgamere për të mos gabuar asnjëherë”.
“Ne jemi të bindur se dekreti është në përputhje të plotë me Kushtetutën. Unë nuk jam pejgambere të mos bëjë asnjëherë gabime. Prandaj ekziston Gjykata Kushtetuese, prandaj ka ekzistuar gjithnjë. Edhe për këtë kryeministër ka me dhjetëra herë kur është vendosur se e ka shkelur kushtetutën. Nuk është vendim i imi është vetëm formalizim që e ka krijuar Kuvendi i Kosovës, jo unë”, ka thënë presidentja Osmani në një intervistë për median e Shqipërisë, TV Syri.
Menjëherë pas pezullimit nga Kushtetuesja, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, e ka pyetur Lëvizjen Vetëvendosje nëse mendon tash se Kushtetuesja është e kapur nga opozita.
Në një postim në Facebook ka përmendur edhe gjyqtarin Radomir Llaban, duke pyetur VV-në nëse është rrezik për sigurinë kombëtare.
“A na tregon VV tash a është Gjykata Kushtetuese “e kapur nga opozita”? A është ai gjyqtari serb ende rrezik për sigurinë kombëtare? Apo tash që po i pëlqen ky vendim VV-së, Gjykata është krejt në rregull dhe ai serbi është burrë i mirë?”, ka shkruar Mustafa.
Në vendimin e Kushtetueses, ndër të tjera theksohet se gjyqtari Radomir Laban kërkoi përjashtimin e tij nga vendimmarrja lidhur me kërkesën KO72/26. Të njëjtën ditë, Gjykata, njëzëri, refuzoi kërkesën për përjashtim të gjyqtarit Radomir Laban.
Sipas masës së përkohshme e cila vlen deri më 31 mars, ndalohet “çdo veprim i Presidentes së Republikës Kosovës në lidhje me Dekretin [nr. 24/2026] të 6 marsit 2026, si dhe të ndalojë çdo veprim të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në kohëzgjatjen e përcaktuar sipas pikës II të këtij Vendimi; (ii) të urdhërojë që masa e përkohshme hyn në fuqi më 9 mars 2026, në kohëzgjatje deri më 31 mars 2026”.
“Gjykata thekson se vendosja e masës së përkohshme ex officio dhe sipas kërkesës së parashtruesit të kërkesës përmes të cilës ndalohet ndërmarrja e çdo veprimi nga Presidentja lidhur me Dekretin [nr. 24/2026] të 6 marsit 2026 si dhe ndalimit të çdo veprimi të Kuvendit deri në vendosjen e rastit nga Gjykata Kushtetuese është në funksion të parandalimit të shkaktimit të dëmit të pariparueshëm për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe funksionimin demokratik të institucioneve kyçe në Republikën e Kosovës”, thuhet në vendim.
Po ashtu u tha se ndalimi i çdo vendimi dhe veprimi të mëtejmë nga ana e institucioneve është në interes publik dhe i domosdoshëm për ruajtjen e rendit kushtetues dhe interesin më të mirë të Republikës së Kosovës.
“Rrjedhimisht, Gjykata, pa paragjykuar meritat e kërkesës KO72/26 konstaton se duhet të vendoset masa e përkohshme ex officio dhe sipas kërkesës së parashtruesit të kërkesës në përputhje me arsyetimin e këtij Vendimi”, thuhet në vendim.
Më 5 mars 2026, Kuvendi i Republikës së Kosovës, bazuar në kërkesën e 42 deputetëve të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje mbajti seancën e jashtëzakonshme me të vetmen pikë të rendit të ditës “Zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës”.
Në mungesë kuorumi nuk u nis as procedura e votimit për kandidatët Glauk Konjufca e Fatmire Mullhaxha-Kollçaku.