Kryeziu: Situata nuk ndryshon edhe nëse përsëritet zgjedhja e presidentit nga Kushtetuesja
Foto: Laura Hasani

Kryeziu: Situata nuk ndryshon edhe nëse përsëritet zgjedhja e presidentit nga Kushtetuesja

Aktuale March 10, 2026 - 08:13

Ish-nënkryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Kadri Kryeziu, ka komentuar zhvillimet politike pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për vendosjen e masës së përkohshme ndaj dekretit për shpërndarjen e Kuvendit.

Kryeziu ka thënë se sipas vlerësimit të tij, partitë politike nuk kanë qenë të interesuara për zgjedhjen e presidentit, por për shkuarjen në zgjedhje të jashtëzakonshme.

“Unë mendoj që në momentin që i kam vërejtur këto takime, të cilat për mua kanë qenë konspirative, sepse është dashur të jenë takime me transparencë, e kam kuptuar që forcat politike nuk kanë qenë të interesuara të vazhdojnë për zgjedhjen e një presidenti dhe të mos ketë zgjedhje. Të gjitha partitë kanë qenë të interesuara të shkojnë në zgjedhje të jashtëzakonshme”, ka thënë Kryeziu.

Ai shtoi se edhe nëse Gjykata Kushtetuese vendos që të përsëritet procesi për zgjedhjen e presidentit, sipas tij situata mund të mbetet e njëjtë nëse nuk ka marrëveshje politike mes partive.

“Hipotetikisht, nëse Gjykata shkon me vendimin për zgjedhjen e presidentit, edhe përsëri duhet të ketë kuorum. Nëse partitë politike nuk shkojnë, nuk ka forcë që deputetët t’i dërgojë me dhunë. Çfarë do të ndodhë nëse Gjykata thotë të shkoni edhe një herë në seancë dhe prapë nuk ka marrëveshje? Pa një konsensus nuk mund të zgjidhet presidenti”, ka deklaruar Kryeziu. /tëvë1