Ky është vendimi i plotë i Kushtetueses lidhur me dekretin e Presidentes për shpërndarjen e Kuvendit
Foto: Laura Hasani

Ky është vendimi i plotë i Kushtetueses lidhur me dekretin e Presidentes për shpërndarjen e Kuvendit

Aktuale March 09, 2026 - 19:15

Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme ndaj dekretit të Presidentes Vjosa Osmani, lidhur me shpërndarjen e Kuvendit.

Nga data 9 mars e deri më 31 mars, Kushtetuesja ua ndalon çdo veprim Kuvendit dhe Presidentes lidhur me zgjedhjen e Presidentit të ri.

Në kërkesën e tij, drejtuar Gjykatës Kushtetuese, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka pretenduar se presidentja Vjosa Osmani ka bërë, siç thotë ai, “shkelje të rëndë të rendit kushtetues” me dekretin për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës të premten e kaluar.

Në kërkesën e tij, Kurti ka kërkuar nga Kushtetuesja që sa më shpejt të vendosë masë të përkohshme, pasi sipas tij zhvillimet e mëtejshme mund të kenë ndikim të madh në funksionimin dhe stabilitetin institucional të vendit, “duke krijuar një situatë të pasigurisë juridike dhe institucionale”.

Ai konsideron se vendosja e kësaj mase ishte e domosdoshme edhe për faktin se Osmani mbajti më pas një takim konsultativ me partitë politike lidhur me datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

“Në vijim, parashtruesi i kërkesës sqaron se: ‘Vendosja e masës së përkohshme imponohet gjithashtu nga një rrethanë tjetër me peshë të veçantë kushtetuese. Pas nxjerrjes së Dekretit të kontestuar nr. 24/2026, në të njëjtën ditë, 6 mars 2026, Presidentja e Republikës së Kosovës ka ndërmarrë hapat e parë për materializimin e efekteve të tij juridike, përkatësisht përmes thirrjes së partive politike në një takim konsultativ lidhur me caktimin e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme’”, thuhet në kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese.

Kurti thotë se pa vendosjen e një mase të përkohshme do të kishte rrezik “të menjëhershëm dhe real” që presidentja t’i shpallte zgjedhjet e reja.

“Nëse dekreti i kontestuar do të mbetet në fuqi, zgjedhjet do të duhej të mbaheshin brenda afatit kushtetues prej dyzet e pesë (45) ditësh, duke e shndërruar kështu këtë akt në një proces institucional të pakthyeshëm në praktikë. Në këto rrethana, rreziku kushtetues nuk është më hipotetik, por i menjëhershëm dhe real…”, thuhet tutje në kërkesë.
Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur masë të përkohshme, me të cilën i ndalohet presidentes dhe Kuvendit çdo veprim deri në fund të këtij muaji.

Vendimin e plotë mund ta gjeni KETU.