Kryeziu: Përplasja mes sistemit politik dhe mendësisë së liderëve po prodhon kriza të vazhdueshme në Kosovë
Ismet Kryeziu nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka ngritur shqetësimin për krizën e vazhdueshme institucionale në vend, duke theksuar se Kosova po kalon nga një palë zgjedhje në tjera, pa arritur të krijojë institucione funksionale për gati dy vjet.
Përmes një reagimi publik, Kryeziu shtron pyetjen nëse problemi qëndron te sistemi politik ose te mendësia politike që vazhdon të dominojë skenën politike në vend.
Sipas tij, sistemi zgjedhor proporcional dhe Kushtetuta e Kosovës janë ndërtuar për të nxitur bashkëpunimin dhe kompromisin politik, duke promovuar një model të demokracisë konsensuale.
“Sistemi zgjedhor proporcional dhe Kushtetuta jonë janë të dizajnuara si një rregull shoqëror që promovon bashkëpunimin dhe kompromisin politik”, thekson Kryeziu.
Ai vlerëson se ky sistem praktikisht e bën të vështirë që një parti të qeverisë e vetme, duke i detyruar subjektet politike të bashkëpunojnë për krijimin e shumicës parlamentare dhe formimin e qeverisë, duke përfshirë edhe përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë.
Megjithatë, sipas Kryeziut, praktika politike në vend vazhdon të dominohet nga një mendësi që ai e përshkruan si “bajraktariste”.
“Politikanët shpesh e shohin politikën si dominim të një lideri, dhe jo si një proces kompromisi dhe bashkëpunimi ndërmjet aktorëve politikë”, shprehet ai.
Kryeziu thekson se përplasja mes mënyrës se si është ndërtuar sistemi politik dhe mënyrës se si funksionon politika në praktikë po prodhon kriza të vazhdueshme institucionale.
Sipas tij, vendi përballet me një dilemë të qartë: ose të mësojë të funksionojë brenda këtij sistemi përmes kompromisit dhe bashkëpunimit politik, ose të shqyrtojë ndryshimin e vetë sistemit për ta përshtatur me mënyrën se si funksionon realisht politika në Kosovë.
Ai paralajmëron se nëse kjo mospërputhje vazhdon, ciklet e krizave politike dhe zgjedhjeve të shpeshta do të mbeten një rezultat i parashikueshëm për vendin.
Reagimi i plotë i Kryeziut, pa ndërhyrje:
Pse po shkojmë nga një palë zgjedhje në tjera pa arritur t’i japim vendit institucione funksionale për gati dy vjet? A është problemi te sistemi ynë politik që nuk po funksionon si duhet, apo te mendësia jonë politike, ende e ndikuar nga logjika patriarkale e dominimit?
Sistemi zgjedhor proporcional dhe Kushtetuta jonë janë të dizajnuara si një rregull shoqëror që promovon bashkëpunimin dhe kompromisin politik. Një sistem që nxit logjikën e një demokracie konsensuale, ndërsa praktika jonë politike shpesh funksionon me një logjikë më hierarkike dhe individualiste.
Në thelb, ky sistem e bën pothuajse të pamundur që një parti të qeverisë e vetme. Ai i detyron partitë të bashkëpunojnë për të krijuar shumicë parlamentare dhe për të qeverisur së bashku, madje edhe me përfaqësues të komuniteteve joshumicë shqiptare.
Megjithatë, partitë dhe liderët tanë ende funksionojnë me një mendësi më shumë “bajraktariste”. Për ata, shpeshherë ka qenë e nevojshme edhe ndërhyrja ndërkombëtare për të arritur marrëveshje ndërpartiake. Kjo ndodh sepse politikanët shpesh e shohin politikën si dominim të një lideri dhe jo si një proces kompromisi dhe bashkëpunimi ndërmjet aktorëve politikë.
Pra në vazhdimësi kemi një përplasje mes mënyrës sesi është ndërtuar sistemi dhe mënyrës sesi bëhet politika në praktikë.
Ndoshta dilema është edhe më e thellë: ose duhet të mësojmë të funksionojmë brenda këtij sistemi përmes kompromisit dhe bashkëpunimit politik, ose duhet ta ndryshojmë vetë sistemin për ta përshtatur me bindjet dhe mënyrën se si funksionon realisht politika te ne. Sepse një model që kërkon bashkëqeverisje e ka të vështirë të funksionojë nëse kultura politike vazhdon të kërkojë udhëheqje të centralizuar — një logjikë që, në një farë mënyre, lidhet edhe me traditën patriarkale të autoritetit, që nga familja.
Nëse kjo mospërputhje vazhdon, ciklet e krizave politike dhe zgjedhjeve të shpeshta mbeten një rezultat pothuajse i parashikueshëm. /Zëri