MASHTI shënon 7 Marsin, Arta Gashi-Ahmetaj shpallet mësuesja më e mirë e vitit
Foto: Laura Hasani

MASHTI shënon 7 Marsin, Arta Gashi-Ahmetaj shpallet mësuesja më e mirë e vitit

Aktuale March 06, 2026 - 13:55

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka organizuar ceremoninë tradicionale me rastin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, ku u ndanë mirënjohje për mësimdhënës të dalluar nga e gjithë Kosova, si dhe çmimi kryesor “Shaban Jashari” për mësuesen më të mirë të vitit.

Në këtë ceremoni zëvendësministri i parë i Arsimit dhe Shkencës, Përparim Kryeziu, theksoi rëndësinë e rolit të mësuesve në edukimin dhe formimin e brezave të rinj, duke vlerësuar kontributin e tyre në zhvillimin e shoqërisë.

“Mësuesit janë autoriteti i parë dhe për një kohë të gjatë i vetmi për fëmijët jashtë familjes. Përveçse burim dijeje dhe kompetence për fëmijët tanë, ata janë edhe busull vlerash teksa rriten dhe bëhen brezi i ri i qytetarëve të Republikës”, u shpreh Kryeziu.

Ai shtoi se përveç falënderimit që u shprehet mësimdhënësve në këtë ditë, ata meritojnë respekt të përditshëm dhe mbështetje për punën që bëjnë çdo ditë.

Duke përkujtuar edhe Epopenë e UÇK-së dhe sakrificën e familjes Jashari, Kryeziu përmendi figurën e mësuesit Shaban Jashari, emrin e të cilit mban edhe çmimi kryesor që u nda në këtë ceremoni.

Sipas tij, Shaban Jashari përfaqëson shembullin se si roli i mësimdhënësit ka qenë më i madh sesa vetëm dhënia e dijes, duke qenë edhe edukim ndër breza për dashurinë ndaj vendit, gjuhës dhe kulturës.

Me këtë rast, zëvendësministri Kryeziu përgëzoi mësuesit e përzgjedhur si më të dalluarit për këtë vit dhe ndau çmimin kryesor “Shaban Jashari” për mësuesen më të mirë të vitit, Arta Gashi-Ahmetaj.

Duke pranuar çmimin, Gashi-Ahmetaj tha se këtë vlerësim e pranon me mirënjohje dhe ia dedikon nënës së saj të ndjerë, e cila, sipas saj, ka qenë frymëzim dhe mbështetje në rrugëtimin e saj në arsim. Ministria e Arsimit dhe Shkencës uroi të gjithë mësimdhënësit për 7 Marsin – Ditën e Mësuesit, duke shprehur mirënjohje për punën dhe përkushtimin e tyre në edukimin dhe formimin e gjeneratave të reja.