KFOR-i i quan të rreme pretendimet se NATO-ja lëshoi raketa nga Kosova në drejtim të Iranit
Foto: Laura Hasani

KFOR-i i quan të rreme pretendimet se NATO-ja lëshoi raketa nga Kosova në drejtim të Iranit

Aktuale March 06, 2026 - 11:11

KFOR-i ka reaguar ndaj pretendimeve që po qarkullojnë në rrjetet sociale se “NATO-ja ka lëshuar raketa nga ‘Camp Bondsteel’ ose objekte të tjera të NATO-s në Kosovë drejt Iranit”, duke i cilësuar ato si të pavërteta.

Në një njoftim për media, misioni ushtarak i NATO-s në Kosovë thekson se ky pretendim është i rremë dhe se NATO-ja e hedh poshtë plotësisht një gjë të tillë.

Sekretari i përgjithshëm Mark Rutte ka bërë të qartë se NATO-ja si organizatë nuk është e përfshirë në fushatën aktuale ajrore kundër regjimit iranian.

Tutje, thuhet gjithashtu se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të luajnë rol kyç në mbështetjen e sigurisë dhe stabilitetit rajonal në kuadër të misionit të KFOR-it.

Aktualisht, SHBA-ja ka rreth 600 trupa të dislokuara në KFOR dhe udhëheq Komandën Rajonale Lindje (RC-East), e cila kontribuon në aktivitetet e përditshme të misionit, duke përfshirë patrullimet, ushtrimet dhe bashkëpunimin me komunitetet lokale.

Misioni Paqeruajtës i Aleancës Veriatlantike rithekson se vazhdon të përmbushë mandatin për të garantuar një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët në Kosovë, në përputhje me Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.