Pacolli: Pse prapë zgjedhje, pse kjo tallje?
Ish-presidenti Behgjet Pacolli ka shtruar pyetje se pse duhet prapë të ketë zgjedhje dhe pse kjo tallje me qytetarët, pa çka ka përmendur kur ai kishte bindjen e tij në 2007-n se presidentit duhet të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli.
Ai thotë se kur fati i presidentit vendoset nga deputetët dhe nga të ashtuquajturit “vota të sigurta” apo kalkulime partiake, Institucioni i Presidentit rrezikon të reduktohet në një instrument të politikës së ditës.
Postimi i plotë:
Pse prapë zgjedhje?
Pse kjo tallje?
Ideja për zgjedhjen e Presidentit të vendit drejtpërdrejt nga populli ka qenë BINDJA IME që nga viti 2007. Mua atëherë askush nuk më mbështeti. Nëse shiqoni në retrospektivë, e shifni se kolegët e mi të atëhershëm (disa nga ata edhe sot janë deputet ), me akuzoni se “ po du me imponuar sisteme të lindjes”. Qe tani ku jemi!
Në një sistem demokratik të mirëfilltë, posti i Presidentit duhet të jetë shprehje e vullnetit të qytetarëve dhe jo rezultat i marrëveshjeve të mbyllura ndërmjet partive politike. Kur Presidenti zgjidhet nga qytetarët, ai merr një legjitimitet të drejtpërdrejtë demokratik dhe përfaqëson gjithë popullin, jo vetëm interesat e një shumice të përkohshme parlamentare.
Sot, kur fati i Presidentit vendoset nga deputetët dhe nga të ashtuquajturit “vota të sigurta” apo kalkulime partiake, Institucioni i Presidentit rrezikon të reduktohet në një instrument të politikës së ditës. Në vend që të jetë figurë unifikuese dhe garant i Kushtetutës, Presidenti shpesh shihet si produkt i pazareve politike, marrëveshjeve të fshehta dhe interesave të ngushta partiake. Kjo jo vetëm që e dobëson autoritetin moral të këtij institucioni, por gjithashtu e largon atë nga qytetarët që ai duhet të përfaqësojë.
Është paradoksale që institucioni që duhet të simbolizojë unitetin e kombit të varet nga votat e një grupi të kufizuar deputetësh, të cilët (nuk logjikojnë) dhe janë të lidhur ngushtë me kërkesat dhe interesat e udhëheqjeve të partive të tyre.
Në këto rrethana, zgjedhja e Presidentit nga Parlamenti mund të shndërrohet lehtësisht në një proces formal, ku rezultati dihet paraprakisht dhe ku mungon çdo element i vullnetit të drejtpërdrejtë qytetar.
Për më tepër, një praktikë e tillë rrezikon ta degradojë institucionin e Presidentit në një post simbolik pa peshë reale morale dhe demokratike. Kur qytetarët nuk kanë mundësi të shprehin drejtpërdrejt vullnetin e tyre për këtë figurë të rëndësishme shtetërore, krijohet një ndjenjë distancimi dhe mosbesimi ndaj institucioneve.
Prandaj, nëse duam që Presidenti të jetë vërtet përfaqësues i unitetit kombëtar dhe garant i Kushtetutës e jo kukull, mënyra më e drejtë dhe më demokratike është që ai të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli. Vetëm kështu ky institucion mund të fitojë legjitimitetin e plotë demokratik dhe të çlirohet nga varësia ndaj kalkulimeve të ngushta partiake.
Ndryshe, vazhdimi i praktikës aktuale rrezikon ta kthejë procesin e zgjedhjes së Presidentit në një farsë politike, ku institucioni që duhet të jetë mbi partitë në fakt mbetet peng i tyre.