Nagavci: LVV-ja mbështet amendamentet e Osmanit për zgjedhjen e presidentit nga populli
Foto: Laura Hasani

Nagavci: LVV-ja mbështet amendamentet e Osmanit për zgjedhjen e presidentit nga populli

Aktuale March 05, 2026 - 17:47

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se kjo parti i mbështet plotësisht amendamentet kushtetuese të propozuara nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, për zgjedhjen e drejtpërdrejtë të presidentit nga qytetarët.

Nagavci përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka theksuar se Lëvizja Vetëvendosje përkrah amendamentet kushtetuese të dërguara në Kuvend nga Osmani, të cilat parashohin që Presidenti apo Presidentja e vendit të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli, raporton Zeri.info.

“Shprehim mbështetjen e plotë për amendamentet kushtetuese të përcjella sot nga Presidentja Vjosa Osmani Sadriu, të cilat parashohin që Presidenti/Presidentja e vendit të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli”, ka shkruar Nagavci.

Sipas saj, miratimi i këtyre amendamenteve do të ndikonte në forcimin e stabilitetit institucional dhe në rritjen e legjitimitetit demokratik të institucionit të presidentit.

Nagavci u ka bërë thirrje të gjithë deputetëve të partive politike që t’i mbështesin dhe t’i votojnë këto amendamente kushtetuese, duke theksuar se një hap i tillë është në interes të qytetarëve dhe të demokracisë në vend. /Zëri