LVV-ja mund t’i drejtohet Kushtetueses nëse dështon zgjedhja e presidentit sonte
Foto: Laura Hasani

LVV-ja mund t’i drejtohet Kushtetueses nëse dështon zgjedhja e presidentit sonte

Aktuale March 05, 2026 - 15:59

Këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, Jeton Zulfaj, ka paralajmëruar se do t'i drejtohen Gjykatës Kushtetuese nëse dështon zgjedhja e presidentit deri në përfundim të afatit kushtetues sonte në mesnatë.

Në disa postime të ndara në Facebook të enjten, Zulfaj ka thënë se mospjesëmarrja e deputetëve në votimet për presidentin përbën shkelje kushtetuese.

“A shkohet në zgjedhje në mënyrë automatike nëse dështon raundi i tretë për mungesë kuorumi prej 2/3-ve? Jo. Deputetët, sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese KO29/11, janë të obliguar të marrin pjesë në tri votimet për presidentin. Mospjesëmarrja e tyre nuk e dërgon vendin automatikisht në zgjedhje; përkundrazi, çështja dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, pasi mospjesëmarrja përbën shkelje të Kushtetutës”, ka shkruar ai.

Lëvizja Vetëvendosje e propozoi Glauk Konjufcën kandidat për president. Deri më tani, synimin për edhe një mandat në krye të shtetit e ka shprehur edhe presidentja Vjosa Osmani, por nënshkrimet për t`u nominuar si kandidate nuk janë mbledhur ende.

Që seanca për zgjedhjen e presidentit të zhvillohet në garë duhet të jenë së paku dy kandidatë.

Zulfaj tha se Osmani është zgjedhur kryeparlamentare dhe presidente me votat e Lëvizjes Vetëvendosje, por partia e Kurtit nuk ia ka më borxh ta zgjedhë prapë.

“Asnjë figurë e Lëvizjes Vetëvendosje nuk i ka mbajtur të dy pozitat, pavarësisht kontributit dhe atributeve të tyre”, ka shkruar Zulfaj në Facebook.

Sipas tij, përveç presidentes Atifere Jahjaga, posti i presidentit është mbajtur nga figura partiake e kësisoj, thotë Zulfaj, ka qenë edhe Osmani kur është zgjedhur pesë vjet më parë.

“Vjosa sot nuk përfaqëson një subjekt politik, por nuk është figurë konsensuale, pasi karrierën e saj e ka ndërtuar si pjesë e subjekteve politike. Vjosa është figurë e nderuar, ish-kryeparlamentare dhe presidente dhe e denjë për çdo pozitë, por Vetëvendosje nuk ia ka borxh Vjosës ta bëjë presidente”.

Më tej Zulfaj ka thënë se Gjykata Kushtetuese e ka “ndërlikuar pa nevojë” zgjedhjen e presidentit.

“Kushtetuta ka përcaktuar qartë tri votime për zgjedhjen e presidentit, ku në votimin e tretë thuhet se ‘...kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve zgjidhet President i Republikës së Kosovës’. Gjykata votimin e tretë e ka barazuar praktikisht me dy votimet e para, ku kërkohen dy të tretat (2/3). Ky ka qenë një interpretim i dobët, sepse edhe pse kërkon pjesëmarrjen e deputetëve në votim, nuk parashikon mekanizma detyrues për këtë pjesëmarrje. Kësisoj është ndryshuar norma e Kushtetutës, e cila votimin e tretë e kishte paraparë si mekanizëm për dalje nga bllokada”.