28-vjetori i Epopesë së UÇK-së, Komuna e Prishtinës përkujton luftën e Jasharëve
Komuna e Prishtinës ka organizuar seancën solemne për të shënuar 28-vjetorin e Epopesë së UÇK-së.
Kryetari i Komunës, Përparim Rama, gjatë fjalës së tij theksoi rolin vendimtar të familjes Jashari dhe Prekazit në historinë e Kosovës. Ai kujtoi fillimin e marsit të vitit 1998, kur familja Jashari vendosi të mos nënshtrohet dhe të vazhdojë luftën për liri.
“Prekazi dhe familja Jashari ktheu fatin e një populli në vendim për të luftuar dhe për të mos u nënshtruar. Në gjithë botën, Prekazi i atyre ditëve u bë kryefjala e qarqeve diplomatike dhe e medieve ndërkombëtare, ndërsa në Kosovë në tokat shqiptare dhe në diasporë u bë kushtrim dhe betim. Që atëherë kanë kaluar 28 vjet, por thirrja e Prekazit nuk largohet kurrë nga qeniet tona. Prekazi qëndron si gur themel i palëvizshëm, i shenjtë, si shenjë e përpjekjes së njeriut për atdhe dhe liri. Sot, Epopenë e UÇK-së e risjellim jo vetëm si përkujtim, por si standard të qëndresës, nderit dhe përgjegjësisë”, tha Rama.
Edhe kryesuesi i Kuvendit Komunal të Komunës së Prishtinës, Fehmi Kupina, vlerësoi sakrificën e familjes Jashari dhe theksoi rëndësinë historike të ngjarjeve të 5, 6 dhe 7 marsit 1998.
“Sot kujtojmë momentet më të lavdishme dhe më të dhimbshme të historisë sonë kombëtare. Në Prekaz u shkrua një kapitull i përjetshëm i sakrificës dhe lirisë së Kosovës. Familja Jashari nuk u përball vetëm me sulmin policor dhe paramilitar, por edhe me përpjekjen për të shuar idealin e lirisë së një populli të tërë. Nga qëndresa heroike e tyre lindi një epokë e re, epoka e rezistencës së hapur dhe e luftës çlirimtare të Kosovës. Komandanti legjendar Adem Jashari dhe të gjithë ata që ranë në Prekaz, përveç qëndresës, morën një vendim historik për të mos u nënshtruar kurrë, duke zgjedhur lirinë mbi jetën, dinjitetin mbi frikën dhe atdheun mbi gjithçka tjetër”, tha Kupina. /rtk