Selimi: Ne të gjithë jemi UÇK, ne të gjithë jemi Jasharët
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Selimi, në seancën solemne për Epopenë e UÇK-së tha se Prekazi dhe Jasharët i dhanë leksion botës se sa e shtrenjtë është liria dhe sakrifica për të.
Gjatë fjalës së saj para deputetëve, ajo theksoi se lufta çlirimtare e Kosovës duhet të mbrohet si vlerë, sidomos kur sulmohet pastërtia e saj.
“Në historinë tonë të lavdishme, 5 marsi dhe Epopeja e UÇK-së janë pikëtakimi ynë, ku bashkohemi dhe reflektojmë mbi unitetin dhe vetëdijen kombëtare. Kjo datë mbledh njerëzit e mirë dhe patriotë, pa dallime. Shembulli i sakrificës dhe heroizmit të Adem Jasharit, i familjes Jashari dhe i luftëtarëve të UÇK-së, na bën të jemi të vetëdijshëm se sa i shtrenjtë është atdheu dhe si duhet t’i dalim zot çdoherë kur ka nevojë për ne. Prekazi dhe Jasharët i dhanë leksion botës se sa e shtrenjtë është liria dhe sa e madhe është sakrifica për të. Familja Jashari është shembull për të gjithë njerëzimin”, tha Selimi.

“Kujtimi për dëshmorët na mban të freskët dhe na bën të paluhatur në rrugën e duhur për të ecur përpara. 5, 6 dhe 7 marsi nuk i takojnë vetëm të kaluarës sonë, Epopeja e UÇK-së është edhe e sotmja, e cila na rrëfen të ardhmen tonë të dinjitetshme. Prandaj, lufta e lavdishme çlirimtare ka nevojë të mbrohet si vlerë, sidomos kur sulmohet pastërtia e saj, kur sulmohet lufta e drejtë dhe rrjedhjet e saj, edhe kur tentohet të rishkruhet historia jonë e lavdishme”, shtoi ajo.
Në fund, deputetja Selimi pati dy fjalë edhe për ata që tentojnë ta rishkruajnë historinë e UÇK-së në salla gjyqi, atje ku po gjykohen ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës tash e pesë vjet.
“Kushdo që tenton ta rishkruajë historinë e UÇK-së dhe të Adem Jasharit, duke e trajtuar nëpër salla gjyqi, përgjigja jonë është, ne të gjithë jemi UÇK, ne të gjithë jemi Jasharët”, u shpreh Selimi.
