Shefja e kabinetit të Osmanit, Nagavcit: Eja formalitet, fajësoje opozitën për shkuarje në zgjedhje, a ka më turp
Shefja e stafit të presidentes Vjosa Osmani, Learta Hollaj, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Arbërie Nagavci, lidhur me mbështetjen për një mandat të dytë të Osmanit.
Hollaj ka shkruar në llogarinë e saj në Facebook se qasja e LVV-së nuk tregon respekt ndaj rendit kushtetues dhe përgjegjësisë institucionale.
“Zonja Nagavci, besohet se përvoja juaj parlamentare dhe politike është e mjaftueshme për ta trajtuar këtë çështje me seriozitetin që kërkon pesha kushtetuese dhe interesi qytetar e shtetëror. Kjo nuk është çështje e thjeshtë e aritmetikës procedurale apo administrative, por temë që prek thelbin e përgjegjësisë institucionale dhe respektimin e rendit kushtetues,” tha Hollaj.
Ajo kritikoi ashpër LVV-në për mënyrën se si po e trajton procesin e kandidaturës së Osmanit.
Sipas saj, tendenca me e fajësu opozitën për shkuarje në zgjedhje, është turp.
“Nëse dikujt i thoni ‘eja veç sa për formalitet, bëhu kundërkandidate e Glauk Konjufca’, pra veç sa për numër, në mënyrë që pastaj të mund ta fajësojmë së bashku opozitën për shkuarje në zgjedhje, a ka më turp? Presidentes nuk i keni ofruar asnjë votë për t’u rizgjedhur, por i keni kërkuar që të bëhet formalitet e numër, në mënyrë që sot të dilni me manipulime të tilla. Ne nuk i trajtojmë institucionet e shtetit ashtu", tha Hollaj.