IKD: Shkarkimi i Zëvendësuesit të Sekretarit në prag të zgjedhjes së Presidentit, shqetësim institucional
Foto: Laura Hasani

IKD: Shkarkimi i Zëvendësuesit të Sekretarit në prag të zgjedhjes së Presidentit, shqetësim institucional

Aktuale March 04, 2026 - 20:12

Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IKD) ka reaguar pas shkarkimit të Zëvendësuesit të Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, Arben Loshi, veprim që konsiderohet arbitrar dhe i papritur.

Ngjarja ndodh pikërisht në ditën kur pritet të mbahet seanca për zgjedhjen e Presidentit/es së Kosovës.

Sipas burimeve të IKD brenda Kuvendit, në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të së hënës (2 mars 2026) ishte planifikuar diskutimi për përzgjedhjen e Sekretarit të Përgjithshëm.

Por, Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka tentuar të bindë nënkryetarët për anulimin e konkursit.

Arben Loshi rezulton të ketë marrë më së shumti pikë në procesin e përzgjedhjes, i zhvilluar nga Komisioni për Rekrutim, i cili përfshinte edhe ekspertë të pavarur dhe u monitorua nga projekti i Ambasadës Britanike në Kosovë.

Procesi ka përfunduar në dhjetor 2024 dhe nga atëherë pritej vetëm emërimi i tij.

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës ka konfirmuar se nuk ka pasur asnjë ankesë për procesin dhe se procedura ishte në përputhje me ligjin për zyrtarët publikë.

IKD konsideron veprimet e Kryesisë, përfshirë shkarkimin e Loshit, si shqetësuese, sidomos pasi Sekretari i Kuvendit ka rol kyç në organizimin e procedurës së votimit për zgjedhjen e Presidentit/es.

Instituti kërkon qasje në transkriptin dhe procesverbalin e mbledhjes së Kryesisë për të sqaruar arsyet e mundshme të anulimit të konkursit.

IKD u bën thirrje nënkryetarëve të Kuvendit që të respektojnë ligjin dhe raportin e Komisionit të Rekrutimit, duke garantuar meritokracinë dhe ligjshmërinë në administratën publike.