Arsim Bajrami tërhiqet nga gatishmëria për kandidat konsensual për President
Foto: Laura Hasani

Arsim Bajrami tërhiqet nga gatishmëria për kandidat konsensual për President

Aktuale March 04, 2026 - 16:24

Ish-deputeti dhe profesori universitar Arsim Bajrami ka njoftuar tërheqjen e gatishmërisë së tij për t’u vënë në dispozicion si kandidat konsensual për President të Republikës së Kosovës.

Në një letër publike drejtuar qytetarëve, Bajrami ka bërë të ditur se vendimi vjen pasi dy partitë kryesore parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës, nuk e kanë përkrahur konceptin e një kandidati konsensual për kreun e shtetit.

Ai ka theksuar se vetëofrimi i tij kishte për qëllim tejkalimin e krizës së thellë politike dhe institucionale, në të cilën vendi, sipas tij, po hyn në vitin e dytë, duke ofruar përvojën e tij mbi tri dekada në funksion të unitetit politik dhe qytetar dhe garantimit të funksionimit kushtetues të institucioneve.

Bajrami ka nënvizuar se angazhimi i tij nuk ka qenë i motivuar nga interesa personale apo karriere, por si shprehje e përgjegjësisë qytetare për t’i shërbyer vendit në një moment të ndjeshëm për demokracinë dhe stabilitetin institucional.

Në fund, ai i ka uruar sukses cilitdo që do të zgjidhet President apo Presidente, duke shprehur gatishmërinë për të kontribuar në proceset shtetformuese në kapacitetin e tij akademik dhe profesional. Bajrami ka falënderuar gjithashtu qytetarët, kolegët dhe studentët për mbështetjen dhe mesazhet e solidaritetit./Zëri

Njoftimi i plotë nga Arsim Bajrami: 

Të dashur miq,

Duke qenë se dy partitë kryesore parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës, nuk e përkrahën konceptin e një kandidati konsensual për President të Republikës së Kosovës, KAM VENDOSUR TË TËRHEQ GATISHMËRINË TIME PËR T’U VËNË NË DISPOZICION SI KANDIDAT KONSENSUAL.

Vetëofrimi im kishte për qëllim ekskluzivisht kontributin në tejkalimin e krizës së thellë politike dhe institucionale, në të cilën vendi po hyn në vitin e dytë, duke vënë në shërbim përvojën time shtetndërtuese mbi tri dekada, në funksion të unitetit politik dhe qytetar, si dhe të garantimit të funksionimit kushtetues të institucioneve të Republikës së Kosovës.

Ky angazhim nuk ka pasur motive personale apo karriere, por ka qenë shprehje e përgjegjësisë qytetare dhe e gatishmërisë për t’i shërbyer Kosovës në një moment të ndjeshëm për demokracinë dhe stabilitetin institucional të saj.

Cilido President apo Presidente që do të zgjidhet, i dëshiroj sukses dhe shpreh gatishmërinë time që, në kapacitetin tim akademik dhe profesional, të kontribuoj në proceset shtetformuese dhe në forcimin e institucioneve demokratike të vendit.

Me këtë rast, shpreh falënderimet e mia më të sinqerta për mijëra miq, kolegë, profesorë dhe studentë, për mesazhet e shumta të mbështetjes dhe solidaritetit qytetar që më kanë dërguar këto ditë.

Me respekt,

Arsim Bajrami