Vandalizohet Ambasada e Kosovës në Berlin, shkruhen slogane shoviniste serbe

Vandalizohet Ambasada e Kosovës në Berlin, shkruhen slogane shoviniste serbe

Aktuale March 03, 2026 - 15:24

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës ka reaguar pas një incidenti të ndodhur sot në ambientet e jashtme të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Berlin, ku janë vendosur etiketa fyese me përmbajtje shoviniste në gjuhën serbe mbi pllakatin identifikues të objektit.

Sipas njoftimit zyrtar, mbishkrimet përmbanin slogane nacionaliste dhe nxitëse, duke përfshirë mesazhe si “Nuk ka dorëzim”, “Kosova është Serbi” dhe thirrje të tjera me konotacion propagandistik dhe përçarës.

Pas identifikimit të rastit, Ambasada e Republikës së Kosovës në Berlin ka njoftuar menjëherë autoritetet kompetente në Gjermani. Policia gjermane është informuar dhe pritet të ndërmarrë veprimet përkatëse në vendngjarje, përfshirë hetimin e plotë të rrethanave dhe identifikimin e personave përgjegjës.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e ka dënuar ashpër aktin, duke theksuar se çdo formë vandalizmi, gjuhë urrejtjeje dhe përpjekje për të cenuar përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës është e papranueshme. Sipas MPJD-së, veprime të tilla bien ndesh me normat dhe konventat ndërkombëtare që garantojnë paprekshmërinë e misioneve diplomatike dhe dëmtojnë frymën e bashkëjetesës dhe respektit ndërmjet shteteve.

Në reagim theksohet se Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar ndaj promovimit të paqes, dialogut dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, duke vijuar misionin e saj diplomatik në përputhje të plotë me parimet dhe standardet ndërkombëtare. /Zëri