Bllokada e hapësirës ajrore në Emirate, Ambasada e Kosovës njofton për masa evakuimi

Bllokada e hapësirës ajrore në Emirate, Ambasada e Kosovës njofton për masa evakuimi

Aktuale March 03, 2026 - 09:24

Ambasada e Kosovës në Abu Dhabi ka njoftuar qytetarët e Kosovës që ndodhen në Emiratet e Bashkuara Arabe për mundësinë e një evakuimi emergjent, në rast të vazhdimit të bllokadës së hapësirës ajrore në vend.

Në një njoftim zyrtar, Ambasada bëri të ditur se është në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe, me institucionet shtetërore në Kosovë, si dhe me Ambasadën e Kosovës në Riad, për të shqyrtuar opsionet më të shpejta dhe më të sigurta për evakuimin e qytetarëve.

“Ambasada e Republikës së Kosovës në Abu Dhabi njofton të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës – vizitorë të bllokuar dhe rezidentë – se është në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet e vendit pritës, me institucionet shtetërore në Kosovë, si dhe me Ambasadën tonë në Riad, për të shqyrtuar mundësinë më të shpejtë dhe më të sigurt në rastin e evakuimit të qytetarëve tanë”, thuhet në njoftim.

Ambasada u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që ndodhen në territorin e Emirateve të Bashkuara Arabe dhe që nuk janë paraqitur ende, të kontaktojnë menjëherë përmes e-mailit dhe telefonit zyrtar, duke dërguar të dhënat personale sipas dokumentit të udhëtimit dhe informacionin për qytetin ku ndodhen.

“Kjo është e domosdoshme në mënyrë që kërkesat tuaja në rastin e evakuimit të mund të procedohen për pajisje me leje kalimi urgjente në kufirin e Mbretërisë së Arabisë Saudite”, theksohet më tej.

Sipas njoftimit, procedura për lejet e kalimit realizohet nga Ambasada në Abu Dhabi në koordinim me Ambasadën e Republikës së Kosovës në Riad, për të gjithë qytetarët që gjenden në Emirate.

“Në momentin e domosdoshmërisë së evakuimit dhe krijimit të mundësisë për evakuim të organizuar emergjent, në koordinim me autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe, institucionet tona shtetërore dhe autoritetet e Arabisë Saudite për sigurimin e fluturimeve nga aeroportet si Jeddah ose Riyadh, Ambasada do t’ju njoftojë menjëherë”, përfundohet në njoftim.

Image