Kaleci nga Katari: Nuk ka shqiptar të lënduar, rreziku s’ka kaluar ende

Kaleci nga Katari: Nuk ka shqiptar të lënduar, rreziku s’ka kaluar ende

Aktuale March 02, 2026 - 23:21

I ngarkuari me punë në Katar Ermal Kaleci ka deklaruar në emisionin “3D” të Alban Dudushit në RTSH1 se asnjë shqiptar nuk ka mbetur i lënduar nga sulmet iraniane në Katar.

Ai theksoi se situata paraqitet më e qetë ndryshe nga pak ditë më parë kur Katari u sulmua me raketa nga ana e Teheranit.

Sipas Kalecit, autoritetet e Katarit kanë dhënë udhëzimet përkatëse ku qytetarët duhet të zbatojnë protokollet.  

“Dita sot ka qenë më e qetë. Sot ishim në një takim me Ministrinë e Punëve të Jashtme ku kryesohej nga zëdhënësi për shtyp i kryeministrit dhe vazhdimisht autoritetet e Katarit dhe ne udhëzojmë qytetarët tanë që të ruajnë qetësinë dhe të zbatojnë protokollet që na kanë dhënë autoritetet e shtetit të Katarit. Por edhe një herë qytetarët shqiptarë të zbatojnë protokollet dhe nëse nuk kanë punë të qëndrojnë në shtëpitë e tyre sepse akoma nuk ka ikur rreziku”, tha Kaleci.

I ngarkuari me punë vuri në dukje se në Katar janë 200 shqiptarë me të cilët ambasada komunikon vazhdimisht me ta.  

“Në muajin shtator ne hapëm selinë e re të ambasadës së Shqipërisë në Katar dhe ftuam të gjithë shqiptarët aty dhe krijuam një database. Ne i kemi identifikuar 200 shqiptraë, me numra telefoni dhe se ku punojnë. Asnjë shtetas shqiptar nuk ka marrë lëndime. Janë të gjithë shëndoshë e mirë”, deklaroi më tej Kaleci.