Takimi Kurti - Peleshi, theksohet rëndësia e unitetit ndërmjet shteteve
Foto: Laura Hasani

Takimi Kurti - Peleshi, theksohet rëndësia e unitetit ndërmjet shteteve

Aktuale March 02, 2026 - 15:41

Kryeministri Albin Kurti ka pritur sot në takim kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi.

Ndonëse deklarime nuk u bënë pas asnjërit prej takimeve që kryekuvendari shqiptar ka pasur me krerët shtetëror në Kosovë, për këtë çështje institucionet kanë dalë me komunikata për media.

Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit për takimin thuhet se aty u theksua rëndësia e unitetit e bashkëpunimit të ngushtë mes të dyja shteteve.

“Në këtë datë historike për kombin shqiptar, përvjetori i Kuvendit të Lezhës, që shënon bashkimin e princërve shqiptarë në vitin 1444, Kryeministri i Republikës së Kosovës dhe Kryetari i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë theksuan rëndësinë e unitetit dhe bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet dy shteteve tona. U vlerësua se Kosova dhe Shqipëria, si dy shtete të një populli, ndajnë aspirata të përbashkëta për zhvillim të qëndrueshëm, forcim të institucioneve demokratike dhe integrim euroatlantik”, thotë Kryeministria.

Tute, bëhet e ditur se gjatë takimit u diskutua për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, rritjen e koordinimit në politikën e jashtme, si dhe për avancimin e agjendës së integrimit drejt Bashkimit Evropian.

“Kryeministri Kurti vlerësoi se Kosova dhe Shqipëria mbështesin dhe shtyjnë përpara njëra-tjetrën në proceset zhvillimore dhe integruese, duke i konsideruar arritjet si të përbashkëta dhe duke punuar me përkushtim për të ardhmen evropiane të qytetarëve të të dy vendeve”, citon njoftimi fjalët e kryeqeveitarit kosovar.

Gjithashtu kanë treguar se në këtë takim mes dyshes Kurti - Peleshi është ritheksuar se bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë mbetet prioritet strategjik dhe një garanci e rëndësishme për stabilitetin, zhvillimin dhe mirëqenien në rajon.